Këngëtarja Fjolla Morina u lirua nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, pasi u arrestua sot në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë.
Demokracia.com nga burime të saja në Policinë e Kosovës ka marrë vesh se këngëtarja u arrestua me një urdhërarrest ndërkombëtarë.
Ajo ka pasur urdhëarrest aktiv. Demokracia.com po ashtu merr vesh se organet e drejtësisë nuk e kanë aprovuar ekstradimin e saj. “Pas ndalimit nga Policia ajo është lënë lirë nga Prokuroria”, ka thënë burime brenda Prokurorisë për Demokracia.com.
Morina ishte dënuar më 6 vite burgim nga Gjykata e Qarkut të Kukësit.
Fjolla Morina ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi mbi të rëndon akuza për trafikim të armëve dhe municionit në Shqipëri.
Morina ishte shpallur në kërkim më 21 prill 2021, një muaj pasi gjykata e Kukësit e dënoi me 6 vite burgim për “trafik të armëve dhe municionit”.
Arrestimi i Fjolla Morinës u bë në shtator të vitit të2020, në pikën e kalimit kufitar Morinë, ku këngëtares iu gjet një armë zjarri pistoletë tip “Zoraki” me 23 fishekë.
Ajo është justifikuar përballë oficerit të Krimeve se i ndërronte çantat e dorës shpeshherë dhe se nuk e dinte çfarë kishte brenda saj.
Bashkë me Morinën ishte arrestuar edhe biznesmeni Fisnik Syla, me të cilin këngëtarja ishte martuar gjatë kohës kur po kërkohej nga INTERPOL-i.