Raportet në mes të Turqisë dhe Izraelit kurrë s’kanë qenë të mira. Kjo për shkak të Palestinës, cështje për të cilën Erdogan ishte përplasur ashpër me Shimon Peresin në një forum në Davos.
Por pavarësisht këtyre raporteve, muzika është ajo që bashkon dy popujt. Këtë muaj në Jerusalem do të mbaj një koncert legjenda e muzikës turke, 70 vjeçari Ibrahim Tatlises, shkruan Haaretz.
Këngët e Tatlisesit pëlqehen shumë në Izrael, derisa shumë këngëtar izraelit i kanë përpunuar këngët e yllit të vjetër të muzikës turke, i cili pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore nuk e ka ndalur aktivitetin e tij muzikor.
Në këtë shkrim të Haaretz kanë folur shumë këngëtar izraelit të cilët kanë ribërë këngët e Tatlisesit, e të cilave vetëm ua kanë ndërruar titullin.
Por pse kjo ndërlidhje në muzikë mes Izraelit dhe Turqisë po ndodh më shumë tani se që kishte ndodhur para dhjetë apo 20 vjetësh.
Për këtë ka folur këngëtarja turke, Kalben, e cila edhe ka realizuar një bashkëpunim me këngëtarin izraelit, Dudu Tassa. Ajo për Haaretz ka thënë se tashmë janë një gjeneratë e re, me mendje të hapur që duan ta shijojnë jetën.
“Sepse brezi ynë ka një mendje të hapur. Ne duam të jetojmë. Ne duam të argëtohemi. Ne duam të mësojmë për veten dhe për të tjerët. Ne nuk duam të jemi të huaj për njëri-tjetrin. Ne refuzojmë ksenofobinë. Ne refuzojmë kufijtë. Ne refuzojmë paragjykimet. Njerëzit e moshës sime, 35-40 vjeç, dhe ata pak më të rinj, nuk duan të merren më me këtë gjë. Mendoj se artistët janë shumë të vetëdijshëm për të gjitha këto. Ne duam t’u tregojmë të gjithëve se çdo gjë që nuk përfshin muzikë dhe dashuri nuk vlen shumë.”, ka thënë ajo.
E pyetur nëse ka marrë komente negative për shkak të ketij bashkëpunimi, ajo ka thënë se askujt nuk i intereson një gjë e tillë dhe se njërëzit e duan artin dhe muzikën.
Mark Eliyahu, ndoshta muzikanti më i suksesshëm izraelit në Turqi kohët e fundit, pohon ndjenjat e Kalben. A ka hasur ndonjëherë kritika apo urrejtje në Turqi? “Asnjëherë.
“Asnjë fjalë. Madje as gjatë luftës së fundit në Gaza. Dhe të gjithë e dinë që jam nga Izraeli. Më mahnit çdo herë sërish që muzika është dashuri, është një lidhje. Nuk ka vend për urrejtje askund afër saj”. /Gazeta Enigma/