Simptomat e COVID-19 në fakt mund të jenë shenja të një sëmundjeje shkatërruese që është e vështirë për t’u dalluar, por e përjetshme.
Shenjat që ju jeni të infektuar me COVID-19 përfshijnë ethe, të dridhura, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe kyçesh, të përziera dhe ënjtje të nyjeve limfatike.
Por, derisa shumica e njerëzve janë të kujdesshëm ndaj këtyre simptomave dhe vetë koronavirusit, këto shenja janë gjithashtu një tipar i sëmundjes së quajtur Lyme.
Sëmundja Lyme është një sëmundje relativisht e rrallë që gjendet në të gjithë botën.
Fillon me një pickim insekti, siç është rriqëra që është bartës i virusit, zakonisht në zonat pyjore.
Nëse kapet herët, sëmundja Lyme mund të jetë e lehtë për t’u trajtuar, megjithatë komplikimet mund të ndodhin nëse infeksioni lihet i pazbuluar dhe i padiagnostikuar, dhe virusi përhapet në sistemin nervor ose në zemër.
Disa njerëz jetojnë me sëmundjen Lyme gjatë gjithë jetës së tyre, duke vuajtur dhimbje, humbje të kujtesës ose mjegull të trurit, dhimbje koke dhe gjumë jo të mirë, shkruan The Sun.
Imunologia, Purvi Parikh tha se ndryshimi më i madh midis COVID-19 dhe sëmundjes Lyme është rruga nga e cila hyjnë në trupin e njeriut.
“Gripi, viruset e ftohjes dhe koronavirusi hyjnë në trup përmes rrugëve të hundës dhe indeve të mushkërive, kështu që simptomat përcaktuese të këtyre infeksioneve janë më së shpeshti respiratore. Mikrobet që transmetohen nga rriqrat, nga ana tjetër, hyjnë në trup përmes lëkurës dhe qarkullimit të gjakut, kështu që simptomat shpesh përfshijnë skuqje dhe simptoma të çuditshme sistematike”, tha ajo.
Ajo u shpreh se COVID-19 është i ngjashëm me një ftohje, duke shkaktuar rrjedhje të hundëve ose dhimbje të fytit, gjë që nuk ndodh tek sëmundja Lyme , e cila nuk është e lehtë për t’u vetëdiagnostikuar.