Tre shtetas të huaj tentuan të futen mbrëmjen e kaluar uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh të Shqipërisë. Njëri prej tyre sulmoi dy ushtarë, duke i lënë të lënduar, shkruajnë mediat në Shqipëri.
Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka u transportuan në spitalin “Nënë Tereza” për të marrë ndihmë mjekësore dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ushtarakët u vizituan ditën e sotme nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi. Njëri prej tyre rrëfen se shtetasi rus, të cilin u përpoqën ta neutralizojnë ishte shumë i dhunshëm, duke u hedhur edhe spraj.
Ushtari tregon se për momentin e humbën shikimin, por aktualisht ndihen më mirë. “Bëmë detyrën tonë si ushtarakë. Ka qenë i dhunshëm. Hodhi spraj, kam shenjat. Hodhi edhe nga fytyra. Shikimi për momentin na iku, por tani jemi më mirë. Me gjithë përgjegjësin e rojes e kapëm të dy”, tha ai.
Çfarë ndodhi mbrëmë në Gramsh?
2 shtetas rusë dhe një ukrainas tentuan të futen dje e shtunë ( 20 gusht) në uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh.
33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse, dhe Fiodor Mihailovic me pasaportë ukrainase u arrestuan nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës pas incidentit në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.
Në momentin që njëri prej tyre tentoi të futej në godinën ushtarake dhe ta fotografojë atë ka ndodhur dhe një përplasje me rojet ushtarake.
Si pasojë e përplasjes mbetën të lënduar ushtarakët Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka, gjendja shëndetësore e të cilëve u përmirësua më pas, pas transportimit në Pavijonin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Ndërkohë dyshimet janë se tre të huajt mund të jenë agjentë.
Megjithatë ata pretendojnë te jenë blogerë, që udhëtojnë nëpër botë dhe fotografojnë baza ushtarake të braktisura.