Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk ka mundur t’i mbajë lotët, duke folur për vdekjen e aktivist të Vetëvendosjes, Astrit Dehari më 5 nëntor të vitit 2016 në burgun e Prizrenit, rast që ende nuk ka marrë epilog nga institucionet e drejtësisë.
Ajo ka thënë se rasti Dehari e preokupon atë deri në masën sa që s’mund ta bëjë as gjumin rehat.
“Diçka që s’më le rehat, diçka që… edhe gjumin s’e bëj rehat, është rasti Dehari. Është rast shumë i rëndë”, u shpreh ajo.
Ministrja Haxhiu ka thënë se rasti Dehari është më i rëndi në Kosovën e pasluftës.
“Konsideroj që rasti Dehari është rasti më i rëndë në Kosovën e pasluftës, për shkak se në 2016, kur kishte përpjekje nga pushteti i asaj kohe, për ta shpallur VV-në edhe terroriste, ishin arrestuar aktivistë të VV-së për veprime që bëheshin krejt nga dikush tjetër. Në mesin e tyre ishte arrestuar edhe aktivisti Astrit Dehari, vetëm për faktin se mendonte ndryshe nga të tjerët, në atë kohë ishte Demarkacioni dhe Zajednica”, ka deklaruar Ministrja Haxhiu.
Ajo ka shprehur bindjen e saj që aktivisti Dehari ka mundur të vritet kur të burgosurit e tjerë nuk kishin dalë ende në pushim gjatë ditës kritiek.
“Unë besoj që Astrit Dehari ka mundur të vritet para se të dilnin shokët e tij të burgut në pushim”, ka thënë ajo.