Aventura në “Big Brother” e Diola Dostit nuk zgjati ndoshta aq sa ajo vetë priste apo mendonte, megjithatë ish-banorja e reality show-t arriti të qëndronte brenda shtëpisë më të ndjekur në Shqipëri më shumë se sa një pjesë e mirë e publikut priste, duke u bërë herë pas here pjesë e debateve e diskutimeve të forta, madje duke i “mbijetuar” edhe disa nominimeve të rëndësishme.
Po ashtu ajo pati mundësinë të rrëfente për të gjithë historinë e saj të dashurisë, divorcin, vështirësitë që kishte kaluar si një nënë single me 3 vajzat e saj dhe se si ja kishte dalë të bënte përpara në karrierë dhe të arrinte në stadin ku gjendet, teksa ky rrëfim e preku jo pak publikun, duke na dhuruar edhe një prej momenteve më emocionuese në program.
E ftuar mbrëmjen e djeshme në “Pardon My French” në Top Albania Radio, ndër të tjera Diola ka zbuluar edhe se cfarë ka folur me ish-bashkëshortin, fill pas daljes nga reality show, duke marrë parasysh se e ka përmendur jo pak herë gjatë qëndrimit në shtëpi. Ajo u shpreh se fillimisht i ka dërguar një mesazh atij ku i kishte kërkuar ndjesë nëse kishte thënë ndonjë fjalë që e kishte prekur, ndërsa e kishte falenderuar edhe që ishte kujdesur për vajzat gjatë kësaj kohe.
Sigurisht që kishte marrë një përgjigje nga ai, i cili i kishte thënë “Nuk ke përse më kërkon ndjesë, ishte shumë mirë në lojë”, ndërsa sipas Dostit ata edhe janë takuar këto ditë dhe ai i kishte shtrënguar dorën, si rrallë herë kohët e fundit, dhe e kishte parë me shumë dashamirësi, duke i lënë të kuptojë se cdo gjë mes tyre ishte mëse në rregull.