Me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, sot u miratua Rregullorja për Procedurat dhe Kriteret e Vlerësimit dhe Njohjes së Statusit dhe të Drejtave të Personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, e ku ndër të tjera, personave me lëndime me pasoja të përhershme u njihet e drejta për kompensim, për kujdestar personal, si dhe kur është e aplikueshme u mbulohet shpenzimi për plagët dekubitare, në mënyrë të përhershme.
Me anë të komunikatës për media tutje theksohet se përmirësohet llogaridhënia në vlerësimet e bëra nga ana e komisioneve, përmes themelimit të ekipit profesional që do të kenë kontratë me ministrinë, për dallim nga komisionet që në të kaluarën themeloheshin aty për aty.
“Thjeshtëzohet vlerësimi, i cili tash mund të realizohet në mënyrë më të shpejtë duke evituar procedurat burokratike. Evitohen rivlerësimet të cilat shkaktonin që personat paraplegjikë e tetraplegjikë të dilnin nga skema si rrjedhojë e vonesave në rivlerësim”, thuhet në njoftim të MFPT-së.
Tutje bëhet e ditur se mundësohet realizimi i vlerësimit në shtëpi nga ekipet e terrenit në rastet kur personi e ka të pamundur për shkak të gjendjes së tij, të paraqitet fizikisht, madje, në rastet kur dokumentacioni mjekësor është i mjaftueshëm, personi nuk do të paraqitet fizikisht fare për vlerësim.
Po ashtu, përveç nevojave shëndetësore të personave, do të vlerësohet mundësia për përshtatje në shoqëri, dhe do të mbështetet rehabilitimi si dhe punësimi i personave.