Dukagjin Lipa, babai dhe menaxheri i Dua Lipës, ka marrë përsëri vëmendjen e skenës muzikore ndërkombëtare. Këtë herë, Dukagjin Lipa është nominuar për Çmimin “Menaxheri i vitit” nga “Music Business UK Awards”.
Nominimi vjen si konfirmim i suksesit të tij si menaxher, veçanërisht si menaxheri i vajzës së tij, këngëtares Dua Lipa.
Nën menaxhimin e Dukagjin Lipës dhe si pjesë e “Radical Management”, Dua Lipa ka arritur sukses në mbarë botën dhe ka thyer rekorde si artistja më e dëgjuar femër me shumë këngë që kanë miliarda shikime e dëgjime në platformat si YouTube e Spotify, mes tjerash. Çmimet nga “Music Business UK Awards” vlerësojnë menaxherët që kanë bërë një ndikim të madh në karrierat e artistëve të tyre dhe që kanë treguar aftësi të jashtëzakonshme në promovimin e suksesit të tyre global.
Ceremonia do të zhvillohet në mbrëmjen e së martës, më 5 nëntor, në ‘Grand Connaught Rooms’ në qendër të Londrës dhe do të njohë sukseset jo vetëm në fushën e menaxhimit, por në të gjitha fushat e industrisë muzikore në Mbretërinë e Bashkuar, me një fokus të veçantë te talentët britanikë.