Çka është virusi HMPV, sipas Lul Rakës?

Çka është virusi HMPV, sipas Lul Rakës?

Human Metapneumovirusi (HMPV) është një virus që ka ngjallur sërish frikën për një pandemi të re. rastet e para janë shfaqur në Kinë, ndërkohë që tashmë janë përhapur edhe në disa vende Perëndimore.

Infektologu i njohur kosovar, Lul Raka, ka shkruar për këtë virus, duke dhënë detaje të rëndësishme dhe këshilla se si të mbrohemi.

Lexojeni më poshtë shkrimin e plotë të profesorit universitar:

Është një virus i njohur, i zakonshëm që qarkullon në mbarë botën çdo vit dhe shkakton sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes. Ai shkakton simptoma të ngjashme me ato të ftohjes (flames), gripit dhe Covidit, siç janë kolla, ethet, zënie të hundëve dhe vështirësi në frymëmarrje.

Shumica e infeksioneve me hMPV janë të lehta, duke ngjasuar me simptomat e zakonshme të ftohjes. Megjithatë, rastet e rënda mund të çojnë në pezmatim të mushkërive ose bronkeve, veçanërisht te foshnjat, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar. Pacientët që kanë sëmundje shoqëruese të mushkërive, si astma, sëmundja kronike obstruktive e mushkërive ose emfizema, janë në rrezik më të lartë për ndërlikime serioze të sëmundjes.

Virusi u identifikua në vitin 2001 në Holandë, por studiuesit thonë se ai ka qarkulluar te njerëzit për të paktën 70 vjet. Bota nuk e teston në mënyrë rutinore këtë virus, siç bën për gripin, Covidin apo virusin respirator sincicial (VRS). Prandaj, shumica e shkaktarëve që japin ftohje mbeten të paidentifikuar. Emri i tij është përmendur vetëm në rastet kur njerëzit janë shtruar në spital me një infeksion të vërtetuar në laborator. Rritja e rasteve gjatë viteve të fundit mund të jetë edhe rrjedhojë e avansimeve të reja teknologjike diagnostike, të cilat e identifikojnë më lehtë dhe më shpejt HMPV.

SI PËRHAPET VIRUSI?

Virusi përhapet kryesisht përmes spërklave apo aerosoleve të qitura gjatë kollitjes ose teshtitjes, përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me një person të infektuar, ose nëpërmjet prekjes së sipërfaqeve të kontaminuara – ngjashëm sikurse përhapja e ftohjes, gripit dhe Covidit.

A KA VAKSINË APO TRAJTIM PËR KËTË VIRUS?

Nuk ka vaksinë kundër hMPV. Megjithatë, ka vaksinë kundër një virusi të afërt me të (virusi respirator sincicial) dhe aktualisht po zhvillohen kërkime për një vaksinë që mund të mbrojë nga të dy viruset me një injeksion. Nuk ka asnjë terapi antivirale specifike për hMPV; trajtimi bazohet në menaxhimin e simptomave të sëmundjes.

ÇKA THONË AUTORITET KINEZE PËR RRITJEN E RASTEVE ME hMPV?

Autoritetet kineze kanë pranuar se rastet e hMPV janë në rritje, por kanë theksuar se virusi njihet për shumë kohë dhe nuk përbën një shqetësim të madh. Rastet e hMPV janë rritur kryesisht te fëmijët nën moshën 14 vjeç. Sipas tyre, ka mundësi që rastet të shtohen gjatë festës së Vitit të Ri Kinez, që festohet në fund të janarit, kur shumë njerëz udhëtojnë dhe mblidhen në grupe të mëdha. Kina të ndajë të dhënat e saj për këtë shpërthim në kohën e duhur, duke përfshirë të dhënat epidemiologjike për atë se kush po infektohet. Po ashtu, nevojiten të dhëna gjenomike për të konfirmuar që hMPV është shkaktari dhe që nuk ka mutacione të rëndësishme që shkaktojnë shqetësim.

A DUHET TË BRENGOSEMI? A MUND TË SHKAKTOJË METAPNEUMOVIRUSI PANDEMI?

Potenciali i hMPV për të shkaktuar një pandemi sikur COVID-19 konsiderohet i ulët për këto arsye:

1.hMPV nuk është virus i ri dhe tashmë është krijuar imunitet ndaj tij- ky virus qarkullon me dekada të tëra në botë duke mundësuar që pjesa dërmuese e popullatës të kenë krijuar imunitet (megjithëse në disa raste mund të ketë riinfeksione). SARS-CoV-2 ishte një virus i ri, i panjohur dhe popullata globale nuk kishte imunitet ndaj tij në fillim të pandemisë.

2.Përhapja prej një personi në tjetrin është më e ulët se sa COVID-19

3.Ashpërsia dhe shkalla e vdekshmërisë së sëmundjes është më e ulët se sa COVIDi

4.Nuk ka përhapje nga personat asimptomatikë- SARS-CoV-2 është i njohur për nivele të larta të përhapjes nga pacientët që nuk kishin fare simptome (pacientët asimptomatik ose presimptomatik). Kurse, hMPV, është kryesisht simptomatik, duke e bërë më të lehtë identifikimin dhe kontrollin e përhapjes.

5.HMPV e njohim mirë – Ndryshe nga SARS-CoV-2 në fillim të pandemisë, hMPV është një virus i studiuar mirë dhe sistemet shëndetësore tashmë kanë protokolle për të menaxhuar shpërthimet e viruseve respiratore si hMPV.

6.Potencial i kufizuar për mutacione krahasuar me SARS-CoV-2:

Pra, hMPV ka gjasa të ulëta për një pandemi globale, por mund të shkaktojë ende epidemi lokale ose shpërthime sezonale të konsiderueshme, veçanërisht në popullatat e cenueshme.

CILAT JANË MASAT DHE KËSHILLAT PËR PARANDALIMIN E SËMUNDJES?

Masat për parandalimin e hMPV:

·Lani duart shpesh me ujë dhe sapun për të paktën 20 sekonda

·Shmangni prekjen e syve, hundës ose gojës me duar të palara.

·Shmangni kontaktin e ngushtë me persona të sëmurë.

Këshilla për personat e sëmurë:

·Qëndroni në shtëpi kur jeni të sëmurë për të mbrojtur të tjerët nga infeksioni.

·Mbulojeni gojën dhe hundën kur kolliteni ose teshtini.

·Lani duart shpesh dhe në mënyrë korrekte (me ujë dhe sapun për të paktën 20 sekonda).

·Mos shkëmbeni me të tjerët gotat as vegla tjera.

·Shmangni prekjet dhe përqafimet me të tjerët

·Nëse keni dalë jashtë shtëpisë, vendosni maskën

Këshilla për punëtorët shëndetësorë

Mbani maskat gjatë tërë orarit të punës – sepse kemi shumë lloje virusesh që qarkullojnë në të njejtën kohë gjatë sezonit të dimrit. Gjatë ditës ata kontrollojnë shumë pacientë të cilët mund të bartin potencialisht cilindo virus respirator.

Related Articles