Familja e Gjestit ka reaguar me një mesazh të ndjerë dhe plot emocion në rrjetet sociale, pas incidentit tronditës të ndodhur mbrëmë në shtëpinë e Big Brother VIP, ku Gjesti u bë viktimë e një akti të dhunës fizike nga Jozi, raporton Gazeta “Enigma”.
“Ende jemi të tronditur dhe me një dhimbje shumë të madhe në zemër nga ajo që ndodhi mbrëmë në shtëpinë e Big Brother VIP. Pamjet e dhunës fizike ndaj Gjestit ishin të vështira për t’u parë, dhe akoma më të vështira për t’u përjetuar si njerëz që e njohim, e duam dhe e dimë sa zemërmirë dhe i pastër është”, shkrun në reagimin e tyre.
Ata theksojnë se Gjesti hyri në shtëpi me respekt dhe edukatë, dhe nuk e meritoi një përballje të tillë të dhunshme.
“Askush nuk meriton të dhunohet – as brenda një loje, as jashtë saj”, vijon më tej mesazhi.
Pavarësisht situatës, familja shpreh krenarinë për mënyrën se si Gjesti zgjodhi të mos përgjigjet me të njëjtën monedhë.
“Krenarë që edhe në atë moment, zgjodhi të mos reagojë me dhunë. Krenarë që qëndroi i fortë dhe i qetë, edhe kur u sulmua padrejtësisht”.
Ata përfundojnë postimin me një thirrje për drejtësi, reflektim dhe më shumë njerëzi: “Dhuna nuk mund dhe nuk duhet të jetë kurrë pjesë e asnjë formati, asnjë loje, asnjë shoqërie që pretendon të jetë e shëndetshme”. /Gazeta Enigma/