Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka shprehur ngushëllime familjes Kasapi, pas ndarjes nga jeta të këngëtarit shqiptar, Shpat Kasapi.
Përmes një telegram ngushëllimi, Kurti shkroi se një ikje e tillë, e papritur dhe e parakohshme, dhemb shumë dhe vjen si e padrejtë.
“Humbja e tij na ka prekur të gjithëve, pa marrë parasysh profesionet apo gjeneratat. Shumë breza të pasluftës janë rritur me figurën e tij dhe këngët emblematike. Ai ka mbajtur një vend të veçantë në zemrat e të gjithëve si një djalë punëtor, i qeshur, dhe mbi të gjitha, shumë karizmatik”, u shpreh ai.
Në letër ai shkroi se muzika e tij ka arritur të bashkojë shqiptarë gjithandej botës, por më së shumti ka bashkuar shqiptarët e Kosovës e të Luginës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Ngushëllime gjithë familjes Kasapi, komunitetit artistik, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ngushëllime zonjës Gjylymser, zonjës Selvije dhe djalit Roel. Zoti u dhashtë forcën për të përballuar këtë humbje”, thuhet në telegramin e kryeministrit në detyrë.
