Lidhja Demokratike e Kosovës të enjten ka folur për reduktimet e energjisë elektrike në vend, me ç’rast përfaqësues të subjektit konsiderojnë se situata e krijuar “është dëshmi e qartë e menaxhimit skandaloz të sektorit të energjisë në Kosovë”, raporton Gazeta Enigma.
Visar Azemi nga LDK ka thënë se Qeveria aktuale nuk ka investuar asnjë cent në shtimin e kapaciteteve të reja energjetike, ndërkohë që ka shpenzuar mbi 1 miliard euro për import të energjisë elektrike.
“Për të ardhur në këtë situatë absurde, ka vetëm dy shpjegime të mundshme: ose kemi të bëjmë me paaftësi dhe keqmenaxhim të plotë në qeverisje, ose kemi të bëjmë me kapje të sektorit energjetik dhe hajnisë të organizuar nga mafia energjetike, ku përfshihen Martin Berishaj e Vuk Hamoviqi. Të shpenzohen 1 miliard euro nga paratë e qytetarëve për import të energjisë, dhe të mos investohet asnjë euro në kapacitete të reja prodhuese që do t’i shërbenin gjeneratave të ardhshme, është veprim i dëmshëm dhe i papërgjegjshëm ndaj së ardhmes së Kosovës”, tha ai.
Mes tjerash Azemi kritikoi Vetëvendosjen për emërime partiake në sektorin e energjisë.
“Ata që dikur thoshin se familjarët i kanë “vetëm për dasma”, sot pothuajse në çdo emërim që bëjnë, po i shndërrojnë institucionet në strehë për emërime partiake dhe familjare. Emërimi i nipit të deputetit të Vetëvendosjes Ejup Maqedoncit për drejtor në KOSTT-it, flet më së miri për kapjen e institucioneve energjetike në vend. Kjo është hallka e fundit në sektorin e energjisë që tashmë ka rënë komplet në duar të pushtetit. Sa për dijeni, ky që sot është emëruar drejtor i KOSTT është bashkëpronar i një kompanie private të energjisë”, deklaroi ai.
Azemi ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të nisin hetime të menjëhershme për keqmenaxhimin në sektor të energjisë. Po ashtu, me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ai shtoi se LDK do të kërkojë hetim parlamentar, auditim të pavarur dhe të plotë të shitblerjeve të energjisë, si dhe departizimin e institucioneve energjetike.
