Ka ulur siparin nata e madhe e finales së Eurovizionit 2026, një mbrëmje që dhuroi emocione të forta gare, spektakël të vërtetë vizual dhe performanca të jashtëzakonshme vokale. Pas afro katër orësh spektakël plot ritëm dhe energji në arenën “Wiener Stadthalle”, trofeu i edicionit të 70-të jubilar shkoi për Bullgarinë, e cila triumfoi falë performancës shpërthyese të DARA-s me këngën “Bangaranga”.
Mbrëmja u karakterizua nga një garë e ashpër dhe tepër e fortë në tabelën e klasifikimit, duke i mbajtur të gjithë në ankth deri në minutat e fundit, me një përballje “dhëmbë për dhëmbë” mes Izraelit dhe Bullgarisë. Me këtë fitore, festivali i ardhshëm i këngës evropiane do të mbahet vitin e ardhshëm në Bullgari.
Përfaqësuesi i Shqipërisë, Alis, i cili u ngjit i pesti në skenën e Vjenës me baladën “Nân”, dhuroi një interpretim të jashtëzakonshëm dhe thellësisht emocional. I shoqëruar nga mjeshtrja e skenës, aktorja Rajmonda Bulku, dyshja shqiptare krijoi një moment magjik, duke rrëmbyer zemrat e spektatorëve në arenë dhe të miliona shikuesve në Shqipëri, Evropë dhe më gjerë.
Në përfundim të llogaritjes së votave, Shqipëria arriti të grumbullojë gjithsej 145 pikë, duke u renditur e 13-ta mes 25 vendeve që garuan në natën finale. Ky rezultat erdhi si kombinim i vlerësimit të jurive profesionale të shteteve pjesëmarrëse dhe votave të publikut.
Nga juritë e 35 shteteve, balada “Nân” u vlerësua nga 10 prej tyre, duke mbledhur 60 pikë në total, ku spikati vlerësimi maksimal nga Portugalia.
Pikët nga juritë profesionale për Alisin:
Portugalia: 12 pikë; Mali i Zi: 10 pikë; Kroacia: 8 pikë; Qipro: 8 pikë; Malta: 6 pikë; Azerbajxhani: 6 pikë; San Marino: 5 pikë; Belgjika: 3 pikë; Izraeli: 1 pikë; Greqia: 1 pikë.
Nga ana tjetër, vota e publikut – e mbledhur përmes telefonatave, SMS-ve dhe votimit online gjatë kohës që dritarja ishte e hapur – i dha Shqipërisë një mbështetje domethënëse prej 85 pikësh.
Sa i përket zgjedhjes së Shqipërisë, juria profesionale shqiptare vendosi t’ia japë 12 pikët maksimale Italisë.
Ashtu si çdo vit, fituesi u përcaktua nga një kombinim i barabartë i votave të jurive kombëtare dhe publikut shikues. Fillimisht, juritë e secilit shtet ndanë pikët për aktet e tyre të preferuara në një shkallë nga 1 deri në 12. Prezantuesit e spektaklit u lidhën drejtpërdrejt me zëdhënësit e 35 vendeve pjesëmarrëse, të cilët njoftuan live se cili shtet merrte 12 pikët e lakmuara.
Pasqyra e plotë e garës u përmbys dhe u finalizua vetëm në momentin dramatik kur u shtuan votat e publikut për secilin shtet, sistem ky që ndau përfundimisht Bullgarinë nga Izraeli dhe kurorëzoi DARA-n si mbretëreshën e re të Eurovizionit.
