Xhensila Myrtezaj ka zgjedhur Kapadokian e Turqisë për disa ditë larg angazhimeve të përditshme, duke marrë me vete dy njerëzit më të rëndësishëm të jetës së saj, vajzën Ajka dhe djalin Amen. Këngëtarja ka ndarë në rrjetet sociale fotografi nga udhëtimi, ku shfaqet në shoqërinë e fëmijëve, duke shijuar atmosferën karakteristike të një prej destinacioneve më të veçanta turistike të Turqisë.
Këtë herë, në qendër të fotografive nuk është ndonjë partner apo shoqëri e madhe, por koha që këngëtarja po kalon me dy fëmijët. Një tjetër arratisje familjare, por që vjen në një moment kur jeta sentimentale e artistes është sërish objekt diskutimi në mediat rozë. Xhensila nuk është e panjohur me pushimet vetëm me fëmijët. Që pas ndarjes nga Bes Kallaku, ajo ka publikuar vazhdimisht fotografi nga udhëtimet me Ajkën dhe Amenin, duke treguar se dëshiron t’u krijojë sa më shumë kujtime të bukura.
Divorci i saj nga aktori i humorit ishte një prej historive më të komentuara të shoëbiz-it shqiptar, sidomos për shkak të kohëzgjatjes së martesës dhe dy fëmijëve që kanë së bashku. Pas një periudhe të vështirë, me reagime publike dhe diskutime që u pasqyruan edhe në këngët e tyre, të dy vazhduan jetën në rrugë të ndara.
Në janar të vitit 2025, pas përfundimit zyrtar të divorcit, Xhensila ishte shfaqur në pushime me fëmijët, duke e shoqëruar një prej postimeve me mesazhin “Vetëm ndjesi pozitive”. Që atëherë, udhëtimet me dy të vegjlit janë kthyer në një pjesë të rëndësishme të përmbajtjes që ajo ndan me ndjekësit. Por, nëse historia me Besin tashmë është një kapitull i mbyllur, një tjetër emër ka dominuar për një kohë të gjatë lajmet për jetën private të këngëtares. Bëhet fjalë për Ledri Vulën, me të cilin Xhensila u përfol për një romancë që tërhoqi vëmendjen e publikut. Afrimiteti i tyre, fotografitë së bashku dhe paraqitjet në ambiente muzikore ushqyen vazhdimisht dyshimet se mes dy artistëve kishte lindur diçka më shumë se një miqësi.
Një prej momenteve që u komentua më shumë ishte ai gjatë një koncerti, kur Ledri iu drejtua këngëtares me fjalët “Të dua”. Episodi u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale dhe riktheu diskutimet për natyrën e marrëdhënies së tyre. Edhe në intervista, reperi kishte lënë hapësirë për interpretime, pa dhënë një konfirmim të drejtpërdrejtë për një lidhje romantike. Megjithatë, duket se muajt e fundit kanë sjellë një tjetër zhvillim në këtë histori. Në korrik të vitit 2026, ndjekësit vunë re se Ledri dhe Xhensila nuk ndiqnin më njëritjetrin në Instagram. Ky detaj u interpretua menjëherë si një shenjë e mundshme ftohjeje, sidomos pas një periudhe kur dyshja ishte parë shpesh së bashku. Në shtator, aludimet u shtuan edhe më shumë, ndërsa në disa raportime u përmend xhelozia si një shkak i mundshëm i krisjes.
Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar nga vetë artistët. Madje, duhet theksuar se asnjëri prej tyre nuk e ka pranuar zyrtarisht se ka qenë në një lidhje dashurie me tjetrin, ndaj edhe ideja e një ndarjeje mbetet në kuadrin e aludimeve mediatike. Në këtë moment të ndërlikuar, Xhensila duket se po shijon një tjetër udhëtim, këtë herë në Kapadokia, larg zhurmës së përditshme dhe e rrethuar nga fëmijët. Fotografitë e saj japin imazhin e një nëne që ka zgjedhur t’ia kushtojë këto ditë familjes, pa e përfshirë publikun në hollësi të tjera të jetës sentimentale. Për këngëtaren, udhëtimet me Ajkën dhe Amenin nuk janë thjesht pushime, por edhe mundësi për të kaluar kohë me ta, larg angazhimeve profesionale dhe ritmit të ngarkuar të koncerteve. Ndërsa për publikun mbetet ende një pyetje e hapur: çfarë ka ndodhur realisht mes saj dhe Ledrit?
