Nga e mërkura kur ka nisur vaksinimi i personave me dializë në qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca e kanë marrë 26 persona, ndërsa deri në mesditën e sotme janë vaksinuar 14 pacientë të kësaj kategorie.
Koordinatori i qendrës së vaksionimit në sallën “1 Tetori”, Niman Bardhi tha se deri tani janë vaksinuar 1334 persona përfshirë edhe ata me dializë. Në të njëjtën kohë në Kosovë po vazhdon edhe vaksinimi i personave mbi moshën 80-vjeçare.
Bardhi njoftoi se 105 banorë dhe personel mjekësor në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë tashmë kanë marr dozën e parë të vaksinës Astra-Zeneca.
Ndërsa, Ramadan Seferaj pasi e mori vaksinën tha se po ndjehet mirë, duke shtuar se është regjistruar një javë më herët për t’u vaksinuar në aplikacionin E-Kosova.
Dozën e parë të vaksinës AstraZeneca e mori edhe Istref Tahiri i cili është afër të 80-tave. Ai thotë se nuk ka hezituar të vaksinohet, madje thotë se secili duhet ta marrë vaksinën.
Kosova po vazhdon tutje shpërndarjen e 24 mijë dozave të vaksinës kundër COVID-19, të cilat në Kosovë arritën më 28 mars. Me dozën e parë të vaksinës AstraZeneca mundësi të vaksinimit kanë pasur profesionistët shëndetësorë, personat mbi moshën 80-vjeçe dhe ata me sëmundje kronike.