Alban Skenderaj publikon datën e koncertit në Kosovë

Alban Skenderaj publikon datën e koncertit në Kosovë

Këngëtari shqiptar, Alban Skenderaj, ka njoftuar të martën se do të mbajë koncertin e tij “MOTIVI i jetës time” edhe në Kosovë.

Ai ka bërë të ditur se eventi do të zhvillohet më 4 dhjetor.

“Kosova dhe Prishtina më kanë dhënë aq shumë mbështetje dhe dashuri përgjatë këtyre 22 viteve muzikë, duke më frymëzuar e duke qenë një nga faktorët kryesorë që sot jam ky që jam si artist dhe si njeri! Së bashku me stafin, një produksion të madh si ‘MOTIV’ do të kishim dashur ta shfaqnim në një arenë sa më të madhe, por pas një vlerësimi të të gjitha hapsirave që ofron qyteti i Prishtinës, kuptuam se aktualisht e vetmja sallë që i përshtatet ketij eventi, me kushtet dhe disponibilitetin e saj është Salla ‘1 Tetori’. Kështu që… më 4 dhjetor, ‘MOTIV’ do të ndriçojë Prishtinën!”, ka shkruar Skenderaj në rrjetet sociale.

Ai ka shtuar se 30 instrumentistë dhe mbi 30 këngë do ta kthejnë koncertin në një spektakël të vërtetë artistik.

Në lidhje me biletat, Skenderaj ka treguar se informacioni për daljen e tyre do të bëhet i ditur në ditët në vijim.

Related Articles