Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe AgroKosova Holding kanë organizuar aktivitetin “Dita e Qershisë”, ku është bërë kultivimi i Qershisë nga Agro Biznes Holding.
Me këtë rast është bërë edhe hapja e festës “Dita e Qershisë” e cila pritet të bëhet edhe tradicionale.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini e ka konsideruar këtë biznes si model për rajonin.
Shahini ka thënë se Agro-Kosova me 20 hektarë tokë që i ka dhënë tregut 350 ton Qershi është një ofertë serioze për ekonominë e vendit.
“Ky kompleks është bërë model në Kosovë dhe më larg. Kemi shumë arsye pse e kemi quajtur këtë ditë kështu dhe në vazhdimësi kemi pas mbështetjen e kryetarit të komunës së Suharekës. Kemi vendosur që ky aktivitet të bëhet tradicional dhe në vitet e ardhshme do të jetë festë e madhe dhe do të japim një mesazh të qartë që qershia është një kulturë me përfitime të mëdha. Kompleksi AgroKosova ka rreth 20 hektarë e që në treg i ka ofruar Kosovës rreth 350 ton qershi me cilësi të lartë që është një ofertë për konsumatorin tonë, për shtetin dhe për biznesin e fermerët që merren me këtë punë”, është shprehur ai.
Ai ka ftuar Qeverinë e ministrinë që të rrit subvencionet për bizneset që merren me agrobiznes.
Ndërsa, pronari i kompanisë AgroKosova Holding, Haziz Tafaj ka treguar se tri vitet e fundit kanë shënuar rezultat të lartë për kultivimin e Qershisë me cilësi e sasi të lartë.
Ai poashtu ka njoftuar se biznesi i tij ka të punësuar 100 gra e vajza si dhe 100 burra.
Sipas Tafajt kultivimi i qershisë do të jap kontribut të jashtëzakonshëm në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të kësaj komune.
“Dita e Qershisë” do të bëhet festë tradicionale. Arsyeja e organizimit është që kultivimi i Qershisë nga ana e ndërmarrjes sonë në dy tri vitet e fundit ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme si në kultivimin e sasisë ashtu edhe në atë të cilësisë. Kultivimi i qershisë ka me dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në rritjen e mirëqenies të qytetarëve tanë. Qysh tani i kemi rreth 100 gra e vajza dhe 100 burra të cilët kanë punuar tradicionalisht. Rezultati i mirë i këtij prodhimi me një kualitet të lartë të cilësisë që në treg është më e larta në regjion na jep kurajë që të vazhdojmë këtë investim”, është shprehur ai.