Banorët dhe mjekët nga komunat veriore të Kosovës po vaksinohen në Serbi

Banorët dhe mjekët nga komunat veriore të Kosovës po vaksinohen në Serbi

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, në Shtërpcë, ka thënë se rreth 600 persona nga kjo komunë janë vaksinuar tashmë në shtetin serb. Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka thënë se nuk kanë pasur kërkesa për furnizime nga komunat me shumicë serbe, derisa ka shtuar se nuk i është mohuar askujt qasja.

Novobërda është e vetmja komunë me shumicë serbe e cila ka pranuar nga Kosova dozat e vaksinës kundër COVID-19.

Ka marrë vetëm 17 sosh. Pos saj, në mesin e 29 komunave që kanë marrë dozat e “AstraZenecas”, nga 24 mijë sa ka Kosova, në listat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë nuk figuron asnjë komunë tjetër e banuar me shumicë serbe.

Në një intervistë për KTV, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtërpcë, Sasha Krstiçiq, ka thënë se nuk kanë pranuar asnjë dozë të vaksinës, derisa ka shtuar se rreth 600 banorë serbë të kësaj komune tashmë janë vaksinuar.

“Ne nuk organizojmë vaksinim në institucionin tonë, pasi që nuk kemi vaksina. Njerëzit paraqiten për t’u vaksinuar në Serbinë qendrore, thënë më saktë për këtë rajon tonin vaksinimi kryhet në Kurshumli. Numri i të vaksinuarve është bukur i madh. Nga komuna jonë, në Kurshumli janë vaksinuar 600 veta. Në dispozicion atje i kanë të gjitha vaksinat, përfshirë ‘Pfizerin’, atë kineze ‘Sinovac’, ‘AstraZenecan’ e tani edhe vaksinën ruse ‘Sputnik’”, është shprehur ai, duke treguar se deri tash askush nuk është paraqitur të ketë pasur efekte anësore.

Ai tutje ka folur edhe për gjendjen me pandeminë, duke treguar se situata është më e qetë.

“Gjendja aktuale në Komunën e Shtërpcës është relativisht më e mirë krahasuar me periudhën paraprake. I kemi 150 pacientë që kanë qenë të sëmurë me COVID-19, prej tyre 127 janë shëruar, dy pacientë i kemi ende në spital duke u shëruar, përderisa numri i rasteve aktive është 21. Në këtë valën e fundit s’kemi pasur asnjë rast vdekjeje”, ka thënë ai.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, në një përgjigje me shkrim, ka thënë se nga komunat serbe nuk kanë pasur kërkesa për furnizim me vaksina, duke shtuar se u kanë ofruar të gjitha komunave në Kosovë qasje në vaksina.

“Nga komunat me shumicë serbe ka pasur pak kërkesa për furnizime me vaksina, disa sosh janë dhënë në Qendrën e kujdesit për të moshuar në Graçanicë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Related Articles