Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq tha mbrëmë se kërkimfalja e presidentit të Çekisë, Millosh Zeman, për bombardimet e NATO-s më 1999 është “akt historik” dhe një “gjest i madh”.
Bërnabiq theksoi në TV Pink se ishte e bindur se askush në NATO nuk është i kënaqur që Zeman kërkoi falje për bombardimin e Serbisë.
Duke komentuar faktin se kryeministri i Republikës Çeke, Andrej Babish tha se aj odeklaratë ishte pozicionim personal i Zemanit, ajo tha se Zeman “është një politikan i madh dhe serioz”.
“Nuk erdhi nga dikush atje që u bë aksidentalisht president”, theksoi Bërnabiq, duke shtuar se kjo kërkimfalje do të thotë shumë për të personalisht.
Kryeministrja serbe tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjithashtu ishte i befasuar kur Zeman kërkoi falje.
“Kjo është një kënaqësi morale për të gjithë qytetarët e Serbisë”, tha ajo.
“Unë mendoj se Vuçiq, gjatë gjithë këtyre viteve, ka ndërtuar një imazh të ndryshëm të Serbisë dhe lidhje të ndryshme politike me vendet e tjera, ashtu që kemi arritur në pikën ku një politikan i tillë të kërkojë falje”, tha Bërnabiq.