Cilët janë reperët e Kosovës që bëjnë jetë kriminale?

Cilët janë reperët e Kosovës që bëjnë jetë kriminale?

Se reperët kanë probleme me ligjin dhe përtej asaj që ata e quajnë “art”, bëjnë një jetë kriminale, e dëshmojnë edhe rastet tjera.

Reperi Burim Osmani, i njohur si “Duda”, i cili edhe kishte probleme me “The Mike”, nga 2006 deri në 2015, ndaj tij janë ngritur 5 aktakuza.

Për armëmbajtje pa leje, “Duda”, është akuzuar tre herë. Në 2007 për këtë vepër penale, ai ishte dënuar më 6 muaj burgim efektiv. Më 2013, kishte pushuar proceduar ndaj tij pasi ishte përfshirë në amnisti, ndërsa në 2015 edhe pse po e përsëriste për herë të 3-të këtë vepër, ai ishte dënuar vetëm më 500 euro gjobë.

Në 2012, ai po akuzohej bashkë me Ardian Xhaferin për vrasje në tentativë, për çka ishte veçuar procedura ndaj tij, pasi gjykata nuk kishte arritur ta siguronte praninë e tij.

Ndërsa, më 2013, Gjykata ka hedhur poshtë aktakuzën për veprën penale “vjedhja grabitqare”, për shkak se kishte arritur parashkrimi absolut.

Për të gjitha këto, “Betimi për Drejtësi”, ka tentuar të marrë një përgjigje nga “Duda”, por ai nuk është përgjigjur.

Në anën tjetër edhe reperi Feronit Shabani, i njohur si “Fero”, në vazhdimësi ka promovuar drogat dhe armët.

“Moti kohe i kom shiju drogat qe sot janë bo trend (Jane bo trend) N’klasë 6 kom pas hekur e ti hala je ajrokrem”

“Mos ma rano landën prokurore, se me pret çika me shetitë dorë për dorë”, janë disa nga tekstet e Feros.

Ndaj “Feros”, në tre vitet e fundit, janë ngritur 3 aktakuza. Për lëndim të lehtë trupor, narkotikë dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa në korrik 2023, Fero u arrestua nën dyshimin për dhunë në familje. Mirëpo, me të dal nga paraburgimi për këtë rast, ai njoftoi se ka hequr dorë nga muzika, duke u shprehur  i penduar edhe për këto tekste që ai ka bërë. Tani, ai është deklaruar si besimtar i devotshëm i fesë islame, ku vazhdimisht promovon fenë, në të cilën thotë se ka gjetur paqen.

Fero për këto raste, nuk është përgjigjur në kërkesat e “Betimit për Drejtësi”.

“Kjo jetë me mëkate t’u ik prej gjykate”. Koha me shujt, se jom gati me lujt mos më shtini me gjujt, hekrin se kom me rujt.

Gramos Krasniqi, i njohur ndryshe si “Mossi”, është një tjetër reper që ka probleme me ligjin. Në media është raportuar disa herë për arrestimin e tij. Madje edhe për arrestimin e tij në Belgjikë ku ai tashmë po jeton.

Sipas evidencës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Krasniqi është dënuar dy herë për “lëndim të lehtë trupor”, në 2013 dhe 2016, më 6 muaj burgim dhe 300 euro gjobë.

Për armëmbajtje pa leje, reperi po ashtu është dënuar dy herë më nga 1 vjet burg, në 2013 dhe 2014.

Ndërsa, për posedim të narkotikëve në 2017 ai ishte dënuar 3 mijë euro gjobë dhe 1 vjet burgim me kusht, kurse në 2018, për të njëjtën vepër është dënuar më 1 mijë euro gjobë dhe 1 vjet burgim me kusht.

Mirëpo, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar edhe për dy raste, ku ai po akuzohet për narkotik.

Në 2018, për shitblerjet të narkotikëve ai bashkë me dy të tjerë ishin dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, si dhe gjobë prej 600 euro. Mirëpo ky rast është kthyer në rigjykim dhe deri më tani nuk është marrë një epilog. Kjo pasi gjykata ka lëshuar urdhër arrest ndaj “Mossit”.

Ndërsa, në 2021 është hudhur aktakuza po ashtu për posedim të narkotikeve në 2015, pasi kishte arritur parashkrimi absolut i kësaj vepre penale.

Në lidhje me këto raste reperi ka refuzuar të flasë duke thënë se është në Belgjikë prej 6 vjetësh.

“A pak repera ki qe kanë vepra penale, m’u m’ki gjet a,  qe s’jom në Kosovë që 6 vjet. Ki repera që hinë-dalin nga burgu çdo ditë ku me gjete mu”, ka thënë ai.

“Hala s’u ndajta me krim, me e lanë nuk ka hiq kuptim”.

Nga të dhënat e Gjykatës Themelore në Ferizaj, reperi Betim Januzaj, i njohur si “Buta”, del të jetë dënuar një herë më 400 euro gjobë, për armëmbajtje pa leje.

Për armëmbajtje pa leje disa herë është arrestuar edhe reperi Xhonatan Isufi, i njohur si “Don Xhoni”. Për këtë vepër penale, ai në 2021, ishte dënuar me 2 mijë euro gjobë. Ndërsa, në 2022 ai ishte arrestuar sërish për të njëjtën vepër.

“Buta” dhe “Don Xhoni”, nuk janë përgjigjur fare në kërkesat e “Betimit për Drejtësi”.

Në të kaluarën, vepra penale del të ketë kryer edhe reperi Burim Kursani, i njohur si “Bim Bima”, ai është dënuar dy herë për vepra të kryera në vitin 2008. Për armëmbajtje pa leje është dënuar me 1 vjet burg dhe 300 euro gjobë, kurse për prodhim dhe përpunim të substancave narkotike ishte dënuar me vetëm 500 euro gjobë. As “Bim Bima”, nuk i është përgjigjur kërkesës së emisionit.

Numri i reperëve që kanë probleme me ligjin mund të jetë edhe me i lartë, por të lartcekurit janë identifikuar nga prokuroritë dhe gjykatat në Kosovë.

Për më shumë, ndiqeni hulumtimi“Arti “Kriminal”, i cili transmetohet në KTV, TVArta dhe Betimi për Drejtësi.

Related Articles