Aktori i njohur shqiptar, Çun Lajçi, ka qenë i shtruar në spital prej disa ditësh meqë po përballet me një problem shëndetësor.
Në një postim të shpërndarë në rrjete sociale, ai tregon se bëri një intervenim në zemër.
I njëjti publikoi në llogarinë e tij në Facebook një fotografi ku shfaqet i shtrirë në Klinikën e Kardiologjisë, që besohet të jetë realizuar pas ndërhyrjes.
Postimi i plotë i Lajçit (pa ndërhyrje):
“S’u jetueka me zor
Unë vetëm rrugët ua shkela ato ku shkelet ju e ata
nji stol n’tri kambë nji pemë me mbështetë kurrizin e kërkova
nji hije ku mrizuet ju e ata që ikën kur na vranë
asnji gurë s’e mora asnji dru s’e theva asnji pemë s’e vjela
as hithat si kosita të shtegu i kalbun
lulet i lashë rrugicës ku belbëzova si çunak
ika pa m’njoftë se dashni s’deshtët nga gurra ime
kangën e pata për vete zanin për juve
Unë i shkela rrugët tueja s’i mora
aty i keni ku i la Esadi, Dini, Aliu, Shkreli
lavroni me vargjet e tyne mbase edhe me t’miat pak
e mbjellni dashni për zemrat e thyeme
se s’u jetueka mezor!
P.S E dini çka m’tha doktori, kur dola nga salla e operacionit?
Paske m’ua shkrumua jetën politikanve me këta damar zemre!
Kardiologji, 2022”.