Në orët e para të së dielës videoja ku shihet këngëtarja e famshme me prejardhje shqiptare, Rita Ora e mbështjellur me flamurin serb gjatë një performance në Hungari, pushtoi rrjetet sociale.
Një pjesë e fansave e kritikuan tejet ashpër këngëtarën, duke ia kujtuar faktin se e njëjta është edhe ambasadore e Kosovës, e si rrjedhojë nuk do të duhej të bënte gabime të tilla.
Këto kritika dolën të jenë të pakta krahas përkrahjes nga shqiptarët që Rita mori, pavarsisht gabimit, të cilin disa figura publike e quajtën emancipim.
Përkundër kritikave e përkrahjes, vetë këngëtarja në rrjete sociale nuk publikoi asgjë. Por, mediave në Kosovë ua nisi deklarimin e saj, ku në të ndër tjera thuhej se “flamuri iu dha nga një fans i ri”.
“Mbrëmë gjatë performancës në Festival SZIN në Hungari, m’u dha një flamur nga një fans i ri. Prej ndriçimit direkt në sy e në skenë, nuk pashë qartë se cilin shtet përfaqësonte flamuri. Sapo dola nga skena, kuptova se ishte një flamur serb e jo Hungarez”, tha ajo.
Kjo deklaratë e saj nuk po del të jetë edhe korrekte, pasi në pamjet e fundit të publikuara nga një tjetër kënd, shihet Rita teksa e merr vetë në dorë flamurin serb, dhe nuk ia jep askush siç pretendoi ajo.