Pas incidentit brenda objektit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në të cilin ishte përfshirë, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka reaguar OJQ “Demokraci Plus”, e cila ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani shkarkimin e Kurteshit.
Në reagimin e OJQ “Demokraci Plus” thuhet se përkundër që tashmë janë shpallur zgjedhjet e lokale, dhe nuk është e rekomandueshme zëvendësimi i anëtarëve të KQZ-së, por mbi të gjitha duhet ruajtur integriteti i KQZ dhe besimi i qytetarëve në këtë institucion.
“Ne konsiderojmë që anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi, me veprimet e tij, është duke dëmtuar seriozisht statusin dhe integritetin e KQZ-së”.
“Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, z. Kurteshi ka pranuar që është përfshirë në një incident me një nëpunës të KQZ-së, duke marrë përsipër rolin e policisë, në vend se të denoncoi në organet përgjegjëse personin në rast të mos respektimit të masave për mbrojtje nga COVID-19. Një ditë më herët, z. Kurteshi kishte deklaruar se nuk e ka sulmuar askënd. Ndryshimi i deklaratave nga një i emëruar publik është moralisht e gabuar. Ky nuk është rasti i vetëm kur z. Kurteshi dëmton integritetin e KQZ-së. I njëjti, në vazhdimësi në mbledhjet e KQZ-së ka përdorur gjuhë fyese dhe përçarëse, mizogjene, dhe bullizëm”, thuhet në reagim.
“Andaj, kërkojmë nga Presidentja Osmani-Sadriu, që duke u bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, nenin 61 paragrafi 5, shkronja d, të shkarkojë anëtarin e KQZ-së Sami Kurteshin, për të mbrojtur statusin dhe integritetin e KQZ-së”, përfundon reagimi i Demokraci Plus