Detaje nga arrestimi i serbëve në Prizren, 10 u liruan – dy u ndaluan

Detaje nga arrestimi i serbëve në Prizren, 10 u liruan – dy u ndaluan

10 nga 12 serbët të cilët u ndaluan sot në Prizren janë liruar në procedurë të rregullt, ndërkaq dy prej tyre janë ndaluar për 48 orë orë.

Në lidhje me këtë rast, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi ka njoftuar se dy serbët e ndaluar u prezantuan rrejshëm si pjesëtarë të MUP-it serb.

“Sot, më 06.04.2025, rreth orës 12:00, tri vetura me targa serbe, në të cilat ndodheshin 12 persona – shtetas të Serbisë – janë ndaluar te ura e ‘Arastës’. Personat dhe veturat janë kontrolluar dhe më pas janë shoqëruar në stacionin policor në Prizren për legjitimim dhe intervistim. Pas intervistimit, dhjetë persona janë liruar, ndërsa dy të tjerët janë ndaluar pasi u prezantuan si pjesëtarë të MUP-it serb, por nuk kishin asnjë dokumentacion që e dëshmonte një gjë të tillë”, thuhet tutje në konfirmim.

Për këtë aksion të policisë, detaje ka dhënë gjatë ditës ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili tha se dyshohet se këto grupe (12 serbë në Prizren dhe 4 në Gjakovë) kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës.

“Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48 orëshe”, deklaroi ai.

Related Articles