Gazeta Sinjali mëngjesin e së mërkurës raportoi për arrestimin e reperit gjilanas, Feronit Shabani, i njohur me emrin artistik, Fero. Ai dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, modeles së njohur, Arbenita Ismajli, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës.
Modelja reagoi duke thënë se ajo dhe vajza janë mirë, teksa u shpreh se beson në drejtësi.
E pas kësaj ka reaguar edhe reperi Fero, të cilit Gjykata Themelore në Gjilan i ka shqiptuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, Fero ka thënë se Arbenita ka keqpëdorur ‘lirinë’ dhe durimin e tij.
“E sa i përket Ninës mos u viktimizo përmes saj se e gjith bota e di se për të mami jem është kujdes. Une jam munud me qenë i kulturum dhe t’kam leju mu marr me karrier, por ti lirin dhe durimin tem e ke keqpërdor deri në maksimum”, thuhet në reagim.
Tutje ai ka thënë se do të pres se si po vendos drejtësia.
“Shihemi në gjyq”, përfundoi ai.
Si ndodhi e gjithë ngjarja?
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në banesën e çiftit në Gjilan, ku pas një konflikti verbal mes tyre, Fero dyshohet të ketë eskaluar në dhunë fizike duke e goditur me grusht modelen dhe të njëjtës ia ka thyer edhe telefonin.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë se Arbenita e shqetësuar është larguar nga banesa ku bashkëjeton me të dyshuarin dhe vajzën e tyre dhe ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës.
Sinjali mëson se sipas dëshmisë së Arbenitës, Fero e ka kërcënuar edhe me jetë, duke i thënë se do e vrasë nëse ia merr vajzën.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.