Dua Lipa: “Zgjoi”, një film që duhet parë

Dua Lipa: “Zgjoi”, një film që duhet parë

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, ka promovuar filmin “Zgjoi”.

Në një postim në rrjete sociale, pas shfaqjes në Washington, Lipa ka thënë se ky film është një nga ata që duhet të shihet gjithsesi.

“Një rrëfim i mrekullueshëm që tregon historinë prekëse dhe inspiruese të Fahrije Hotit dhe grave nga Krusha. Ky rrëfim me vështirësitë dhe këmbëngulje është një që duhet treguar. Ai flet për shpirtin e përvojës kosovare dhe shpresoj që mund të ndihmojë në shërimin kolektiv të familjeve që janë ndarë dhe njerëzit që i kanë humbur më të dashurit e tyre. Jam shumë krenare me atë që Blerta Basholli ka arritur – është inspirim. ‘Zgjoi’ ka shkëlqyer në Sundance dhe po pres e shpresoj të triumfojë edhe në Oscars!!! Një film që duhet parë”, ka shkruar ajo në rrjete sociale.

Në shfaqjen në Washington mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Edhe ajo përmes rrjeteve sociale bëri thirrje për përkrahje të filmit që tashmë ka marrë tituj prestigjiozë.

“Zgjoi” shpalos rrëfimin e Fahrije Hotit dhe të grave nga Krusha e Madhe. Tregon rrëfimin e një gruaje që me gjithë pengesat krijon një jetë të re për veten e saj dhe për gratë e tjera.

“Zgjoi” triumfin më të madh e pati pikërisht në SHBA. E nisi mbarë me tri çmime qysh në premierë botërore në shkurt – Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë dhe Çmimin e audiencës – në festivalin më të madh amerikan, “Sundance Film Festival”.

Edhe shfaqja në kinematë amerikane, veçanërisht ato në New York, nisi mbarë për filmin që është kandidati i Kosovës për “Oscars”. Dy ditë para shfaqjes në “Film Forum” u shitën të gjitha biletat për terminin e orës 6:50 të së premtes dhe të shtunës. Në këta dy terminë, në New York, pas shfaqjes së filmit ishte paraparë edhe diskutim me regjisoren Blerta Basholli dhe me aktoren Yllka Gashi. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles