Këngëtari Mozzik është ndaluar e më pas liruar nga Policia e Kosovës. Arrestimi i tij u bë nën dyshimin për mosdeklarimin e dy orëve luksoze, teksa hyri në Kosovë përmes aeroportit “Adem Jashari”.
Dogana e Kosovës njoftoi Mozzik mbante dy orë luksoze – një Richard Mille dhe një Rolex Vlera – me vlerë totale 1 milonë e 340 mijë euro.
Dogana tha se këto dy ora nuk janë deklaruar nga udhëtari gjatë kalimit në Kanalin e Gjelbër.
“Duke qenë se shmangia nga obligimet doganore kapte shumën mbi 5.000 euro, konform legjislacionit në fuqi është njoftuar Prokurori Kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Me këtë rast, në përputhje me kompetencat që dalin nga Kodi Doganor dhe i Akcizave, është urdhëruar ndalimi i përkohshëm i mallrave dhe intervistimi i personit të dyshuar”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Dy orët janë ndaluar nga autoritetet, deri në një vendim të mëtejmë të Prokurorisë.
Lidhur me krejt këtë ngjarje ka reaguar edhe vetë reperi Mozzik, i cili tha se lajmet për arrestimin e tij janë “të rreme”.
“Mediat që kanë raportuar për një arrestim që nuk ka ndodhur, nuk kanë vepruar drejt. Po ashtu, raportimet për një kinse borxh ndaj ATK janë të pavërteta – vetëm rrena dhe shpifje. Sulme të tilla i përballoj me qetësi, njësoj si gripin – dhe nuk kanë asnjë peshë më shumë”, shkroi Mozzik. /Gazeta Enigma