Federata Evropiane e Xhudos ka përkujtuar sukseset e xhudisteve kosovare në “Tokyo 2020”.
Federata Evropiane e Xhudos ia ka kushtuar një artikull të veçantë xhudistëve kosovarë duke vlerësuar punën e madhe pas fitores së dy medaljeve të arta në Lojërat Olimpike Tokyo 2020.
Kosova fitoi medaljen e tretë në “Tokyo 2020”, medaljen e parë e kishte fituar Majlinda Krasniqi në “Rio 2016”, dhe tani fituese ishin Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.
Pikërisht suksesi i xhudisteve kosovare u rikujtua nga Federata dhe puna e tyre e palodhshme, Federata cilësoi që është mahnitëse që një vend kaq i vogël si Kosova ka arritur suksese të tilla.
“Vetëm në paraqitjen e dytë në Lojërat Olimpike, kombi i vogël ballkanik i Kosovës marshoi sërish drejt medaljeve të arta. Majlinda KELMENDI (KOS) bëri histori në “Rio në 2016” duke u bërë medalistja e parë Olimpike në historinë e Kosovës duke marrë medaljen e artë në kategorinë -52kg. Javën e kaluar në “Tokyo 2020″, Kosova ishte edhe një herë në faqet e para të botës sportive kur Distria KRASNIQI (KOS) fitoi medaljen e artë në kategorinë -48kg e ndjekur dy ditë më vonë nga Nora GJAKOVA (KOS) e cila fitoi të artën në kategorinë -57kg”, shkruan Federata e Xhudos, transmeton lajmi.net.
“Është vërtetë mahnitëse që një vend me 1.8 milionë banorë ka prodhuar tri medalje Olimpike të arta në një kohë kaq të shkurtër. Sidoqoftë, Kelmendi, Krasniqi dhe Gjakova kanë prejardhje nga qyteti i vogël i Pejës ku janë stërvitur nga trajneri, Driton Kuka në një klub ku e filloi me vëllezërit e tij. Kuka, për dallim nga trajnerët e tjerë ndërkombëtarë, të jep përshtypjen që ai nuk i di të gjitha. Ai qëndron modest, i arritshëm dhe, si çdo trajner, shumë besnik dhe i dedikuar ndaj atleteve të tij”, shkruan artikulli.
“E ardhmja duket shumë e ndritur për të dyja, Krasniqin dhe Gjakovën dhe me gjasë do t’i mbrojnë titujt në “Paris 2024”. Lëndimet e njëpasnjëshme mund ta kenë ndalur Kelmendin, por ajo mund ta luajë një rol tjetër tashmë në këtë histori të suksesit. Dhe ka edhe xhudistë të tjerë që presin suksese, Kampioni Evropian, Akil Gjakova (KOS) në -73kg dhe medalja e bronztë në Botërorin 2019, Loriana Kuka (KOS). Edhe Laura Fazliu është një 20 vjeçare premtuese që ka potencial. Pa dyshim, Driton Kuka do t’i lëshojë “trupat” e tij në garat ndërkombëtare të ardhshme që të jenë kampionë”, shkroi Federata Evropiane e Xhudos.