Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji Xhemajl Sekiraqës, i njohur në publik si burri i këngëtares Arta Bajrami.
Xhemajl Sekiraqa po kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për veprën penale “Grabitja”.
Kështu ka konfirmuar Gjykata Themelore në Prishtinë për Gazetën Enigma.
“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka pranuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit – të kërkuarit për ekstradim Xhemajl Sekiraqes. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 24 orësh, drejtuar Gjykatës së Apelit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Policia e Kosovës me 3 shkurt ka informuar se Sekiraqa është arrestuar në rrugën “UÇK” në Prishtinë.
I njëjti, më pas me urdhër të prokurorit ishte dërguar në mbajtje për 48 orë.
Sipas policisë, i njëjti po kërkohej në nivel kombëtar e ndërkombëtar dhe është i dënuar me 10 vite burgim.
“Policia e Rajonit të Prishtinës po vijon punën e saj me qëllim kapjen e personave të implikuar në raste kriminale, veçmas ata të cilët janë dënuar me vendim gjykate si dhe janë shpallur në kërkim në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Në këtë drejtim veprimet operative të ndërmarra në funksion të angazhimit policor, dje kanë rezultuar me kapjen e të dyshuarit, të dënuar me dhjetë vite burgim. Operacioni u krye në orët e pasdites së djeshme, në rrugën “UÇK” në Prishtinë, me ç’ rast u arrestua dhe u procedua më tej në përputhje me urdhër arrestin ndërkombëtar; -Xh. S, mashkull, 43 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, u tha në njoftimin e policisë, të datës 3 shkurt.