Spektakli i mbrëmshëm i Big Brother VIP Kosova nuk kaloi pa polemika të forta, të cilat këtë herë u shtrinë edhe jashtë mureve të shtëpisë më të famshme. Përtej debateve në studio, vëmendja e publikut u zhvendos shpejt në rrjetet sociale.
Në qendër të diskutimeve u gjend një reagim i ashpër nga Gresa Gashi, ish-banore e sezonit të kaluar të BBVK-së. Përmes një postimi në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, ajo publikoi një deklaratë thumbuese, që duket se ishte e drejtuar ndaj opinionistes së këtij edicioni, Olta Gixhari.
Gresa shkroi: “O.G, me pas fuqi ta kisha ndalu me hi në Kosovë.”
Edhe pse nuk e përmendi emrin e plotë, përdorimi i inicialeve “O.G” ka lënë shumë pak vend për dyshime se reagimi ishte i adresuar ndaj Gixharit.
Ky shpërthim i Gresës erdhi në kohë reale gjatë transmetimit të Prime-it, pikërisht në momentet kur në studio po diskutohej rrëfimi prekës i banores Sasa, që preku publikun me historinë e saj personale.
Duket se komentet ose qasja e opinionistes Olta Gixhari ndaj këtij rrëfimi kanë revoltuar Gresën, e cila zgjodhi rrjetet sociale si platformë për të shprehur hapur mospajtimin dhe indinjatën e saj.
Deklarata e saj u përhap me shpejtësi dhe u bë virale, duke nxitur reagime të shumta nga ndjekësit dhe fansat e spektaklit. Deri më tani, Olta Gixhari nuk ka reaguar publikisht ndaj këtij postimi, ndërsa mbetet të shihet nëse kjo përplasje do të marrë një përgjigje në ditët në vijim.
