Haziri konfirmon takimet me opozitën: Në Qeveri veç me Abdixhikun kryeministër – me LVV-në hiç

Haziri konfirmon takimet me opozitën: Në Qeveri veç me Abdixhikun kryeministër – me LVV-në hiç

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, thotë se nuk do të përfshihen në asnjë koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas tij, nëse kjo e fundit si parti fituese e zgjedhjeve nuk arrin të formojë ekzekutivin dhe radha kalon te partitë e tjera, atëherë janë të hapur për të parë mundësinë e formimit të qeverisë.

Mirëpo, siç thekson Haziri, qeveria duhet të udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku dhe fokus të jetë programi zgjedhor i LDK-së. Megjithatë, ai deklaron se në takimet e Abdixhikut me kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj nuk është diskutuar ndarja e pushtetit, por vetëm është konstatuar gjendja aktuale politike.

Përkitazi me këtë, Haziri në një intervistë për KosovaPress thotë se “LDK-ja nuk do të mbajë mbi shpinë askënd në interes të Kosovës e aspak në interes të vetin”.

Mirëpo, ai e vë në pah edhe rrezikun që vendi të shkojë në një krizë të re politike.

Haziri deklaron se do të respektojnë rezultatin dhe besimin e dhënë nga qytetarët, megjithatë përsërit frazën e famshme të tij se “formimi i qeverisë së ardhshme kalon nga zyrat e LDK-së”.

“Roli jonë është ‘as-as’, duhet lexuar drejt. Nuk është i kushtëzuar dhe që nuk ekziston komunikim. E vetmja mungesë komunikimi që LDK-ja tani e ka është me LVV-në. S’ka as bashkëpunim partiak dhe bashkëpunimi institucional në Kuvend është bërë njëanshëm nga LDK-ja. Sa është lexuar bashkëpunim ai është diçka tjetër, por ne kemi vepruar për qëllime politike më të mëdha. Tash jemi në pozicionin e njëjtë”.

“’Jo’-në tonë karshi bashkëpunimit me LVV-në në formim të ekzekutivit e kemi bërë të qartë. Në anën tjetër, raporti me partitë e dytë dhe partitë tjera që janë në Kuvend, AAK-Nisma dhe pakicat etnike, ne kemi bashkëpunim dhe komunikim për aq sa ka nevojë ky proces zgjedhor. Mirëpo, në shpinë me bartë dikë, më jo! LDK-ja në këto 25 vjet i ka mbajtur të gjitha partitë politike në shpinë. Ka dalë e para, ia ka dhënë të tretit, po ashtu ka dalë e dyta, ka udhëheq qeverinë dhe çdo formulë politike që ka qenë në Kosovë, LDK-ja e ka kapitalizuar në interes të Kosovës dhe shumë më pak në interes të vetin. Këto zyre që po shihni ju prapë mbeten zyra që kalon kryeministri dhe presidenti. Sërish pse e kemi atë rol. Ne nuk jemi arrogantë në politikë dhe nuk shantazhojmë politikisht”, tha Haziri.

Pasi konfirmon takimet e Abdixhikut me liderët e partive të tjera opozitare, Haziri thotë se për LDK-në është primare harmonizimi i programit qeverisës, por sipas tij, të njëjtin duhet ta udhëheqë në qeveri lideri i partisë.

Megjithatë, Haziri thotë se LDK-së nuk duhet t’i bëhet presion publik nga askush për të bërë qeverinë me PDK-në dhe AAK-Nisma.

Duke komentuar akuzat e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, se LDK-ja ka pozicion bllokues në formimin e qeverisë nga opozita, Haziri thekson këso qëndrime nuk presin nga ata që kanë histori bashkëpunimi me LDK-në dhe që dëshirojnë rrugë bashkëpunimi.

Megjithatë, Haziri shpreh brengën se partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje do të tentojë të zvarrisë formimin e institucioneve të reja, duke prolonguar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Për rrjedhën e afatit ligjor prej 15 ditësh për formimin e qeverisë, fillimisht duhet zgjedhur trupat e Kuvendit, përfshirë kryetarin dhe nënkryetarët.

Sipas vendimi të Gjykatës Kushtetuese 2014, në rastin e atëhershëm VLAN, nominimi për kryetar të Kuvendit i takon partisë fituese të zgjedhjeve.

Prandaj Haziri thotë se vendi më shumë ka mundësi të hyjë në krizë politike sesa të ketë qeveri të re.

KQZ të enjten certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje fitoi 42.30 për qind, Partia Demokratike e Kosovës 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27 për qind dhe koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind.

Ky rezultat ia siguron Lëvizjes Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve 48 deputetë në Kuvendin e Kosovës, PDK-së 24 deputetë, LDK-së 20 deputetë, koalicionit AAK-Nisma 8 deputetë si dhe komunitet jo shumicë 20 deputetë.

Pas certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ-ja, ka nisur rrjedha e afatit 30-ditor për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të ri të Kosovës. Këshilltari për media nga Presidenca, Bekim Kupina ka konfirmuar se presidentja Vjosa Osmani një gjë të tillë do ta bëjë brenda afatit ligjor.

Related Articles