Ronald Jay Blumenthal i njohur me emrin e skenës Ron “Bumblefoot” Thal, kitarist amerikan dhe ish-anëtar i grupit legjendar të rockut “Guns N’ Roses” do të elektrizojë skenën e Hardh Festit në Rahovec.
Ai e ka konfirmuar pjesëmarrjen me një video gjatë të cilës ka përshëndetur pjesëmarrësit e festivalit teksa krejt në fund ka luajtur në kitarë himnin e Kosovës.
Bumblefoot ishte njëri nga dy kitaristët kryesor të grupit “Guns N’ Roses” nga viti 2006 deri në vitin 2014.
Ai ka qenë pjesë e grupit për albumin e gjashtë të titulluar “Chinese Democracy”.
Ai gjithashtu ka qenë pjesë e supergrupit “Sons of Apollo” dhe aktualisht është pjesë e grupit Whom Gods Destroy”.
Ai në disa koncerte ka luajtur këngët legjendare si “Sweet Child O’Mine” dhe “Paradise City”.
Ndërkaq javë më parë pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe grupi tjetër “Gipsy Kings”.
Grupi legjendar “Gipsy Kings” i njohur për këngët e pavdekshme si “Bamboleo”, “Volare” e “Baila Me” do të performojë në edicionin e sivjetmë të “Hardh Festit”, duke shënuar kështu një tjetër ngjarje të madhe kulturore në Kosovë.
Ata me një video në Facebook kanë konfirmuar se më 7 shtator do të jenë në qytetin e vreshtave, në Rahovec për 10 vjetorin e festivalit të njohur të “Hardh Festit”
“Nga dielli i jugut të Francës me padurim e presim performancën tonë në Hardh Fest në Rahovec më 7 shtator. Ejani të na bashkoheni për një festë të madhe”, ka thënë grupi në këtë video.
Në këtë video, grupi duke luajtur këngën “Baila Me” ka ftuar të gjithë që të jenë në Rahovec për datat 6, 7 dhe 8 shtator.
Grupi i krijuar në vitin 1979 në Arles të Francës ka trashëgimi katalanase dhe ka përzierje të rumbas katalanase, flamenkos, salsës dhe popit.
Grupi është fitues i çmimit “Grammy” dhe njihet edhe për hitin tjerë “Djobi Djoba”. “Gipsy Kings” ka shitur më shumë se 20 milionë albume në mbarë botën.