Ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Baronesha Catherine Ashton, gjatë qëndrimit të saj në Kosovë ka dhënë edhe një intervistë ekskluzive për televizionin T7. Ashton, të cilës i kishte rënë hise të ndërmjetësonte edhe marrëveshjen e vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se Asociacioni u bë si përpjekje për të zgjidhur problemin specifik të Kosovës me veriun.
Ajo ka thënë për T7 se ideja prej ku kishte rrjedhur Asociacioni, ishte sigurimi i një raporti të mirë mes të Qeverisë në Prishtinë dhe serbëve që jetojnë në veri. Baronesha britanike thotë se Asociacioni është diçka për të cilën Qeveria e Kosovës duhet të punojë, meqë kjo do të mundësonte dialog me njerëzit në veri dhe lehtësim të negociatave në Bruksel.
“Çdo gjë që kërkon shumë kohë për të zgjidhur, nuk është e mirë. I bëj thirrje të dyja palëve që të fillojnë një dialog për këtë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Ashton për T7.
Ashton ka komentuar edhe deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili gjatë ditës së djeshme në Bruksel u shpreh se koha e Ashtonit, Thaçit dhe Daçiqit ka ikur. Diplomatja britanike thotë se është e vërtetë një gjë e tillë, por potencon se trashëgimia ka mbetur.
Sa i përket masave të BE-së ndaj Kosovës, Catherine Ashton thotë se i takon Brukselit zyrtar të vendos se kur i heq ato duke theksuar se një gjë e tillë mund të ndodh në momentin që përmirësohet situata. Ajo thotë se përgjegjësia e presidentes Vjosa Osmani dhe e kryeministrit Kurti është e madhe. Ajo ka pasur për fund edhe një porosi për Qeverinë Kurti, duke i thënë se sa më shumë që punon për zgjidhjen e problemeve, pavarësisht nga vijnë, është shumë më mirë.