Atomistja Laura Dragusha është pranuar për të studiuar neuroshkencë në Yale University në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas një njoftimi të Institutit “Atomi”, ajo ka pranuar bursë të plotë për të studiuar në këtë universitet i cili është ndër më të mirët në botë.
“Sipas të gjitha rangimeve kredibile, Yale University është ndër top universitetet më të mira në botë dhe konkurrenca për t’u regjistruar në Yale University është globale dhe shumë e madhe, prandaj arritja e Laurës është e jashtëzakonshme”, thuhet në njoftimin për media.
“Ky sukses i jashtëzakonshëm i Laurës para së gjithash është rezultat i potencialit të saj intelektual, sukseseve të saj dhe aktivitetit të pashoq në të mirë të komunitetit përgjatë shkollimit si dhe punës së saj të palodhshme drejt arritjes së majave të suksesit. Veç këtyre, ky sukses i saj do të ishte shumë më i vështirë pa përkrahjen dhe investimin e vazhdueshëm të familjes, shkollës, mësimdhënësve, individëve e organizatave të ndryshme profesionale”.
Prandaj, Instituti ATOMI ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e potencialit të Laurës dhe në arritjen e këtij suksesi të jashtëzakonshëm nga ana e saj.
“Instituti ATOMI i uron Laurës studime të suksesshme në Yale University dhe karrierë profesionale të shkëlqyeshme në të ardhmen!”.