Xhudistja, kampione e shumëfishtë, Majlinda Kelmendi, nuk ka mbajtur lotët derisa ka falënderuar të gjithë ata që e përkrahën në rrugëtimin e saj të mundimshëm.
Në ceremoninë e organizuar nga Presidentja Osmani, ku është nderuar kampionia e shumëfishtë në xhudo, Majlinda Kelmendi, ajo ka treguar për hapat e saj debutues si sportiste, si dhe raportet me familjen para se të fillonte karrierën sportive.
“Modestinë e kam trashëguar prej babit, egon, shpirtin luftarak e kam trashëgu prej mamit. Ajo është gru, po ka burrni sa shtatë burra, butësinë edhe qetësinë e kam trashëgu prej vëllait, e kam veç një vëlla. Motra e madhe Adelina më ka rritë, se prindërit punojshin edhe një kohë ja kam nisë me thirr mam edhe mamin se kom dashtë hiq. Përderisa motra e dytë, me Kaltrinën ia ka nis gjithçka. Në vitin 2000 ia ka fillu me ushtru xhudo, edhe një farë forme m’ka detyru edhe mu me shku me ushtru”, deklaroi xhudistja, Majlinda Kelmendi.
Ajo shtoi se personi i parë që e ka parë shpirtin e saj luftarak është trajneri saj, Driton Kuka.
“Shumë njerëz nuk e kuptojnë pse Toni është i lidhur aq emocionalisht me mu edhe me karrierën teme. Më lejoni t’ju tregoj që unë kam fillu me ushtru xhudo në moshën 8 vjeçare edhe prej fillimit e deri më sot, Toni ka qenë trajneri jem”, deklaroi Majlinda Kelmendi.
Majlinda tutje tha se së bashku me Tonin i kanë treguar botës se sa shumë kemi vlera ne populli i Kosovës.
“Ka qenë Toni bashkë me familjen Kuka, Sylën edhe Agronin, të cilët i kanë pagu të gjitha shpenzimet për garat edhe për përgatitjet, jo vç për mu, po për krejt ekipin”, u shpreh Malinda.
Në një ceremoni zyrtare, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dekoroi kampionen e shumëfishtë dhe njëherit edhe xhudisten më të mirë në rruzullin tokësor, Majlinda Kelmendi, me urdhrin “Shotë Galica”.