Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi ka thënë se ish-kryeministri Isa Mustafa ka të drejtë për çështjen e liberalizimit të vizave, i cili sot hodhi kritika ndaj Presidentes Osmani dhe udhëheqësve të tjerë institucionalë.
Sipas Maliqit, kriteret e qeverisjes apo kushtet zyrtare për liberalizimin e vizave, kanë pushuar së pasuri peshë përcaktuese qysh prej ardhjes në pushtet të Emanuel Macron në Francë.
“Mohimi i liberalizimit të vizave nuk ka pasur as në vitin 2018, e as sot, për bazë kritere të qeverisjes së mirë, apo kushte zyrtare të BE. Njësoj siç këto kritere nuk janë sot shkak i moshapjes së negociatave për Maqedoninë e Shqipërinë, apo mosdhënies së statusit të kandidatit për Bosnjen. Trenin e fundit kur përmbushja e kushteve zyrtare prodhonte rezultate e kemi humbur me vonesën e demarkacionit. Po, Isa Mustafa ka të drejtë. Kriteret e qeverisjes apo kushtet zyrtare kanë pushuar së pasuri peshë përcaktuese qysh prej ardhjes në pushtet të Macron në Francë. Prej vitesh është e qartë se Macron ka vendosur ta bllokojë politikisht Ballkanin deri sa të marrë në këmbim diçka të madhe prej Gjermanisë për mënyrën e funksionimit të brendshëm në BE. Eventualisht është i gatshëm ta çbllokojë ndonjë hap në këmbim të ndonjë kushti politik (Haradinajt psh. iu pat ofru heqja e vizave për taksën). Kësaj here me gjasë e kushtëzon me dialogun”, ka thënë ai.
Sipas Maliqit, gjëja e fundit të cilën do ta lejojë Franca është futja në një BE si kjo e sotmja e shteteve që vrapojnë ekskluzivisht drejt Berlinit për politikë dhe tregti, e sidomos e atyre me afërsi me Turqinë.
“Dalja e Britanisë së Madhe prej BE – mbështetëses së zgjerimit – do të mbahet në mend si një ndër fatkeqësitë më të mëdha gjeopolitike për Ballkanin e veçanërisht për Kosovën. Ky realitet europian duhet pranuar dhe politika e jashtme duhet rikalibruar, mbi të gjitha duke hequr dorë nga shpërfillja e SHBA”, ka shkruar në fund ai.