Mbrojtja e Thaçit po akuzon Prokurorinë Speciale se po manipulon me deklaratat publike të Avokatit Pallaska

Mbrojtja e Thaçit po akuzon Prokurorinë Speciale se po manipulon me deklaratat publike të Avokatit Pallaska

Dy avokatët e Ekipit Mbrojtës të ish -Presidentit Hashim Thaçi, Gregory Keohe dhe Dastid Pallaska i janë përgjigjur pretendimeve të Prokurorisë Speciale në Hagë, e cila i ka kërkuar Trupit të Gjykues që t’i japë vërejtje avokatit Pallaska për komentet publike që i ka bërë në mediat kosovare. Në përgjigjen e tyre, dy avokatët Keohe dhe Pallaska akuzojnë prokurorinë se i kanë manipuluar dhe keqinterpretuar këto deklarata.  Po ashtu ata theksojnë se komentet publike të Pallaskës për gjyqin ndaj UÇK’së, Raportin e Martyt janë në linjë me ato të Mbrojtjes së Thaçit.

Mbrojtja, që në hyrje të përgjigjes së saj ka konstatuar se kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar  bazohet në keqinterpretime që i kanë bërë komenteve publike të Pallaskës.

“Kërkesa bazohet në keqinterpretime të komenteve të z. Pallaska” theksohet në përgjigjen  avokatëve.

Avokatët thonë se Zyra e Prokurorit të Specializuar “përmes përdorimit të elipsave, ka manipuluar deklaratat e z. Pallaska për të prodhuar një pretendim se z. Pallaska po e akuzon publikisht Prokurorinë se po propagandon të pavërteta, për ta etiketuar Kosovën si shtet kriminal”.

Tutje avokatët theksojnë se transkripti i intervistës televizive të Avokatit Pallaska dëshmon diçka tjetër, ndërsa akuzojnë Prokurorinë se i ka deponuar fshehtë pretendimet ndaj Pallaskës – që të mos i shoh publiku.

“Transkripti i deklaratave televizive të z. Pallaska, të cilat Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka deponuar pashpjegueshëm në mënyrë konfidenciale, për të mos lejuar që publiku t’i shohë ato, e bën të qartë se z. Pallaska po i referohej qëllimit të Serbisë për ta kriminalizuar Kosovën si shtet, jo Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ky manipulim i provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me qëllim për të fabrikuar akuza për shkelje kundër avokatit, duhet të adresohen në mënyrë të përshtatshme nga ana e Trupit Gjykues. Për arsyet e parashtruara më poshtë, z. Pallaska nuk duhet t’i dëmtohet  reputacioni për shkak të manipulimit të fjalëve të tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar” thuhet në përgjigjen e avokatëve.

Koeohe dhe Pallaska argumentojnë se komentet e avokatit Pallaska vetëm përsërisin pozicionet e Mbrojtjes së Thaçit.

“Prandaj, mbrojtja mohon që komentet e z. Pallaska të ishin të rreme ose mashtruese. Për më tepër, standardi që duhet të plotësojë Kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar është përcaktuar në Urdhrin e Trupit Gjykues për zhvillimin e procedurës, i cili e bën të qartë se Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të provojë se avokati bëri vërejtje të cilat ishin “mashtruese me qëllim ose me dije”. Këtu, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk bën asnjë përpjekje për të justifikuar pretendimin se z. Pallaska ka bërë deklarata mashtruese në intervistën e tij për RTK Prime, e aq më pak se deklaratat e z. Pallaska ishin mashtruese qëllimisht ose me dije” theksojnë Koehe dhe Pallaska në parashtresën e tyre.

Dy avokatët kanë sqaruar se Pallaska ka deklaruar se Serbia e ka për qëllim kriminalizimin e shtetit të Kosovës, e jo ZPS, por kjo sipas tyre është hequr nga konteksti.

“Z.Pallaska qartësisht ka argumentuar se qëllimi i Serbisë ka qenë që Kosova të shpallet shtet kriminal. Z.Pallaska ka theksuar, se derisa ky mund të mos jetë qëllimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, kjo e fundit duhet të jetë e vëmendshme për objektivin e Serbisë për të minuar shtetësinë e Kosovës. Përsëri, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka hequr krejt këtë kontekst nëpërmjet elipsave për të bërë fabrikimin se Z.Pallaska e ka akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe jo Serbinë, për  shpalljen e Kosovës shtet kriminal”.

Më pas, avokatët, në përgjigje kanë publikuar pjesë të deklaratave të Pallaskës për të argumentuar se ai  nuk ka thënë atë që pretendon prokuroria.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se z. Pallaska “akuzon publikisht Prokurorinë për propagandim ‘të pavërtetave’, për ta etiketuar Kosovën shtet kriminal.” Ky pohim  keqinterpreton  komentet e Pallaskës” theksojnë ata.

Sipas avokatëve,  “pretendimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar  është i bazuar në dy fragmentet e shkurtuara dhe të shkëputura intervistës së z. Pallaska me RTK Prime, të cilat u keqinterpretuan sikur të ishim pasazh i vetëm i një deklarate të vetme dhe/ose pjesë të së njëjtës deklaratë dhe/ose deklarata për të njëjtën temë” argumentojnë avokatët duke potencuar se Prokuroria ka manipuluar deklaratat.

Për këtë dy avokatët kanë shpjeguar detajisht, në argumentet 13 faqëshe që ia kanë ofruar Trupit Gjykues si përgjigje ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Tutje, rreth deklaratës se a është duke u gjykuar në Hagë UÇK apo pjesëtarë e saj, Mbrojtja thotë se ky është qëndrimi i saj është artikuluar vazhdimisht.

“ ZPS gjithashtu ankohet për deklaratën e z. Pallaska se leximi i thjeshtë i paragrafit 35 sugjeron që aktakuza të shtrihet për të gjithë anëtarët e UÇK-së dhe, si e tillë, është në kundërshtim me parashtresat gojore të SPO-së se UÇK-ja nuk është në gjyq. Por ky është qëndrimi që Mbrojtja e ka artikuluar vazhdimisht në këtë rast. Në të vërtetë, për shkak të rëndësisë së tij për mbrojtjen e përgjithshme të z. Thaçi, ky argument është gjithashtu të paraqitur qartë në Dokumentin Paragjyqësor të z. Thaçi” theksojnë avokatët.

Ata kërkojnë nga Trupi Gjykues që kjo të hidhet poshtë.

“Kërkesa e ZPS-së që z. Pallaska të paralajmërohet për identifikimin e një mospërputhjeje ndërmjet parashtresave me shkrim dhe atyre gojore të ZPS-së dhe, më e rëndësishmja, për nënvizimin e një çështjeje që është pjesë e vazhdueshme e  rastit të Mbrojtjes, duhet të hidhet poshtë” theksohet në parashtresën e Mbrojtjes.

Avokatët kanë adresuar edhe deklaratën e avokatit Pallaska se aktakuza në Hagë s’ka të bëjë asgjë me raportin e Dick Martyt,  për çka është ankuar Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Kritika e z. Pallaska është në përputhje me argumentet dhe kritikat e Mbrojtjes” theksohet ndër të tjera në parashtresë.

Më tej, Pallaska dhe Koehe theksojnë se Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke bërë përpjekje për të shuar kritikat e legjitime dhe për të shtypur shprehjen e lirë çon në shkeljen e të drejtës së Hashim Thaçit për të pasur proces të drejtë dhe të hapur.  Po  ashtu theksohet se kjo është shkelje edhe e të drejtave të avokatëve të Thaçit për shprehje të lirë, Kushtetutës së Kosovës, Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Në një proces gjyqësor që deri më tani është mbajtur në fshehtësi, përpjekja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të imponuar edhe më shumë fshehtësi duke penguar z. Thaçi dhe avokatët e tij të artikulojnë publikisht argumentet e z. Thaçi, e bën kërkesën edhe më të dëmshme për perceptimin publik të përkushtimit të Dhomave të Specializuara për mbrojtjen. të drejtave themelore për një proces të drejtë dhe publik dhe për lirinë e shprehjes” theksojnë avokatët.

“Si përmbledhje, Kërkesa e Zyrës së Specializuar nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të kufizuar të drejtat themelore për shprehje të lirë. Mbrojtja parashtron se, në përputhje me nenin 40 të Kushtetutës së Kosovës dhe neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut  (të aplikueshme në këtë rast përmes nenit 53 të Kushtetutës së Kosovës), Dhomat e Specializuara nuk mund të kufizojnë të drejtat e të akuzuarit dhe avokatit mbrojtës për t’u shprehur publikisht përveç se kur është rreptësisht e nevojshme dhe proporcionale për të mbrojtur një interes publik tjetër të rëndësishëm”

Avokatët në fund argumentojnë se kërkesa e Prokurorisë dështon për të vërtetuar ndonjë keqinterpretim nga Pallaska, ose se deklaratat e Pallaskës ishin të qëllimshme ose me dije mashtruese.

“Përveç kësaj, Kërkesa dështon të indentifikojë ndonjë interes të rëndësishëm publik që do të meritonte kufizimin nga ana e Trupit Gjykues të të drejtave kushtetuese të z. Thaçi për proces të drejtë dhe publik si dhe për të drejtën themelore të shprehjes së lirë i garantuar me nenin 40 të Kushtetutës së Kosovës për z. Thaçi dhe avokatit të tij”

Kështu, avokatët krejt në fund të parashtresës së tyre i kërkojnë Trupit Gjykues ta refuzojë në tërësi kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Related Articles