Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka shpalosur para deputetëve të Komisionit për Arsim disa nga qëllimet kryesore të saj, raporton Gazeta “Enigma”.
Mes pesë qëllimeve kyçe të kësaj ministrie, ajo ka theksuar përmirësimin e pasojave të pandemisë e harmonizimin e mësimit me kërkesat e tregut të punës.
“Qëllimet strategjike që i kemi prezantuar edhe në programin tonë qeverisës, arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës e i digjitalizuar, sigurimi i cilësisë në mësimin parauniversitar, përmirësimi i pasojave të pandemisë”.
“Qëllimi i dytë ka të bëjë me harmonizimin e mësimit me tregut e punës ku kemi arritur përkrahjen e Zvicrës që do të merret me këtë, menaxhimi efektiv i të gjithë mekanizmave të arsimit është si synim i tretë. Qëllimi i katërt ka të bëjë me cilësi të arsimit të lartë në harmoni me standardet ndërkombëtare, kurse qëllimi i pestë përmirësimi i gjendjes së inovacionit shkencor”, është shprehur ajo.
Nagavci tutje ka njoftuar deputetët me disa nga punët që tashmë kanë nisur nga ministria e Arsimit.
Ajo ka thënë se me synim të zbutjes së pasojave të pandemisë kanë organizuar mësim shtesë për nxënësit.
Poashtu Nagavci ka thënë se kanë ndarë 100 mijë euro si mbështetje për vazhdimin e mësimit të studentët që janë pranuar për studime në universitet prestigjioze në botë.
“Disa nga punët e përfunduar deri më tani është vendimi për organizimin plotësues për ata nxënës që kanë pas problem për mësimnxënie gjatë vitit 2020. Kemi arritur marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Edukimit që studentët e nivelit master të zëvendësojnë mësimdhënëset shtatzënë që mos të ketë shkëputje të mësimit”.
“Janë ndarë 100 mijë euro për studentët që janë pranuar për studime në universitet prestigjioze në botë si mbështetje financiare për vazhdimin e studimeve të tyre”, ka shtuar ajo.