Nga BE-ja tregojnë se kur do të nis dialogu Kosovë-Serbi

Nga BE-ja tregojnë se kur do të nis dialogu Kosovë-Serbi

Pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit si Presidente e re e Kosovës, nga Bashkimi Evropian kanë deklaruar se e mirëpresin zgjedhjen e saj në krye të presidencës duke e uruar për postin e saj të ri.

Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, ka deklaruar se Kosova tani ka mundësinë të përqendrohet me vendosmëri në punët e rëndësishme që ka përpara.

“Përfshirë këtu shtyrjen përpara të reformave të lidhura me Bashkimin Evropian dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha ai.

I pyetur nëse nga Bashkimi Evropian është e caktuar ndonjë datë që ka të bëjë me rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, Stano tha se do të shpallin takimin e ardhshëm kur të shohin se është e përshtatshme.

“Ne do të shpallim takimin e ardhshëm kur është e përshtatshme. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të angazhohet me autoritetet, me synimin për të mbështetur Kosovën në arritjen e progresit të prekshëm në rrugën e saj evropiane”u tha tutje në përgjigjen e BE-së.

Gjithashtu u theksua se do të kërkojë që Kosova të përparojë në reformat e dala nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe Agjendat e Reformës Evropiane, në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

“Kjo do të kërkojë që Kosova të përparojë në reformat e udhëhequra nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe Agjenda e Reformës Evropiane, si dhe në bashkëpunimin rajonal. Rruga evropiane e Kosovës gjithashtu kalon përmes normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë”, tha Stano.

Related Articles