Pas dy vitesh mungesë, Pri Film Fest ‘ndriçon’ kryeqytetin me kultin e kinematografisë

Pas dy vitesh mungesë, Pri Film Fest ‘ndriçon’ kryeqytetin me kultin e kinematografisë

Festivali Ndërkombëtar i Filmit, Pri Film Fest, përmbylli suksesshëm edicionin e 13-të të tij.

Pas dy vitesh mungesë në organizimin e tij me prezencë fizike, festivali tashmë tradicional solli edhe sivjet premiera të shumta vendore ndërkombëtare si dhe vlerësoi me çmime prodhimet më të mira kinematografike.

Çifti organizator i festivalit, Vjosa dhe Fatos Berisha, për pesë ditë rresht mirëpritën aktorët dhe regjisorët më të mirë të vendit por edhe nga të huajt – teksa u shprehën të lumtur që festivali sivjet arriti të realizohej fizikisht.

Pri Film Fest, edicioni i 13-të (Foto: PriFest/Facebook)

Organizatorja e Pri Film Fest, Vjosa Berisha, tregoi për Telegrafin se e sheh si sukses edicionin e 13-të të Pri Film Fest-it, ani pse pandemia nuk la pa bërë ndikimin e saj edhe në këtë organizim.

“Duke marrë parasysh që neve na zunë masat pak para se të fillonte festivali, unë mendoj se ka shkuar shumë mirë. Ka pasur shumë filma të mirë, ka pasur audiencë mjaft. Nuk kemi pasur mysafirë prej jashtë aq sa kemi dashur sepse ka qenë e vështirë të udhëtohet në kohë të pandemisë. Po në përgjithësi mendoj që si në aspektin e industrisë, kemi arritur të sjellim ekspertë të industrisë së filmit edhe projekte shumë të mira janë prezantuar gjatë Pri-forumit, e po ashtu edhe audienca ka pasur kënaqësinë të shohin filma shumë të mirë edhe të huaj, por edhe të kinematografisë kosovare, të cilët kanë korrur shumë suksese në vitin e fundit në festivale e listës A”, thekson Berisha.

Vjosa Berisha Organizatore e “PriFest”

“Fatmirësisht është kthyer mundësia që të mbahet festivali fizikisht sepse siç e dimë kohëve të fundit janë mbajtur vetëm online. Por prapë patëm fat që u mbajt komplet i hapur sepse siç e dimë prej nesër jemi të mbyllur, edhe shumë mirë sepse ka pasur filma shumë të mirë, ka pasur vizitorë të bukur shumë – sidomos filmat e prodhimeve të Kosovë kanë pasur interesim shumë të madh edhe kanë qenë filma fantastikë, pas sukseseve që kanë korrur në festivale të ndryshme, publiku i Kosovës ka pasur mundësinë t’i ndjekë edhe këtu”, ka thënë Durmishi për Telegrafin.

Eshref Durmishi – Aktor

Ndërkohë, regjisorja Blerta Basholli, e cila fitoi edhe çmimin kryesor të festivalit, “Filmi më i mirë” për filmin “Zgjoi”, tha për Telegrafin se ndjehet e lumtur që premiera e këtij filmi u dha në PriFest.

Ajo thotë se fakti që “Zgjoi” është i bazuar në një histori të vërtetë, ka ndikuar që mikpritja që i ka dhënë audienca shqiptare të jetë më e madhe se në çdo festival tjetër ku ka marrë pjesë.

“Jam shumë e kënaqur sepse kemi pritur me padurim ta shfaqim filmin në Kosovë dhe ishte përtej pritjeve tona, publiku e priti shumë mirë filmin por ishte edhe një natë përtej emocionale për neve. Pak për shkak se secili i kemi përjetuar ato ngjarje, por edhe sepse jemi prej Kosovës dhe ndoshta janë më të afërta për neve”, tha Basholli.

Blerta Basholli – Regjisore

Aktorja tjetër e njohur Jonida Vokshi, u shpreh se ndjehej e lumtur për faktin që Pri Film Fest arriti të organizohej, teksa gjendej aty për t’i dhënë mbështetje bashkëshortit të saj, aktorit Besnik Krapi.

“Perfekt, shumë mirë, për më tepër që ka kaluar një kohë e gjatë pa pasur organizime të tilla për shkak të pandemisë por edhe sepse ky edicion ka qenë ashtu si shumë special sepse kam ardhur edhe për film të Besinikut normalisht që e kishte me Emin, me gocën, edhe e kemi shijuar më shumë si familje, por edhe sepse ka qenë një edicion vërtet special, edhe me pjesëmarrjen e filmave – mbi të gjitha dua të përmend që ka pasur filma jashtëzakonisht të mirë të Kosovës, që kjo më ka bërë që të ndjehem akoma më mirë me qenë pjesë e këtij edicioni të PriFest dhe me qenë këtu me e shiju këtë atmosferë me ata filma aq të mirë”, ka thënë Jonida.

Jonida Vokshi – Aktore

Prezent në Pri Film Fest ishte edhe muzikanti dhe prezantuesi i njohur, Robert Berisha.

Berisha për Telegrafin tha se fakti që një organizim i përmasave të tilla ndodhë në Kosovë me kushtet e vështira këtu, i jep kjo vlera më të mëdha festivalit, në veçanti organizatorëve të tij.

“Duke i pasur parasysh kushtet që i kemi në Kosovë, duke filluar prej teatrit e mos të flas për gjëra të tjera, vetëm Vjosa dhe Fatosi që dinë të bëjnë këso organizime. S’kam pasur mundësi të marr pjesë ditëve tjera, por sot në përmbyllje thash të vijë”, ka thënë Roberti.

Robert Berisha – Këngëtar

Në fund të mbrëmjes finale, u ndanë edhe çmimet për edicionin e 13-të të Pri Film Fest, ku fitues në kategorinë kryesore “Filmi më i mirë” u shpall “Zgjoi” i regjisores Blerta Basholli.

Kjo është lista e çmimeve në Pri Film Fest 2021:

Çmimi kryesor ‘’Hyjnesha e artë’ – Blerta Basholli, ‘Zgjoi’.
Çmimi “Aktori më i mirë” – Alban Ukaj,
Çmimi “Aktorja më e mirë” – Flaka Latifi, Urata Shabani dhe Era Balaj.
Çmimi “Regjisorja më e mirë e filmave ballkanikë” – Luana Bajrami.
Çmimi i përvitshëm për arritje për një artist nga Kosova në fushën e kinematografisë – Blerta Basholli.
Çmimi ‘Prifest best project in Pitch Competition for PriForum 2021’ – Ajola Dala dhe Sabina Kodra për filmin “Made of Dust”.
Çmimit i shërbimeve ‘Video Post-produksion’ – Filmi “2000: A Post-War Odyssey”, regjisor Zgjim Terziqi.
Çmimi i shërbimeve ‘Sound Post-produksion’ – Filmi “The sun, the moon and the eleven stars’’, regjisor Ema Kulara dhe producent Ema Ogzan-Tenoglu.
Çmimi “Filmi i shkurtër më i mirë ndërkombëtar” – Filmi “Shakira”, Francë.
Çmimi “Filmi më i mirë i programit të filmave të metrazhit të mesëm” – Filmi “Jesus Egon Christ”, Gjermani.
Çmimi “Filmi i programit të filmave dokumentarë” – “The end of kings”, Francë.
Çmimi “Filmin më i mirë global” – Filmi “Rival”, Gjermani.
Fituesi i zgjedhur nga juria FIPRESCI për filmin më të mirë ballkanik – Filmi “Full Moon”, Bosnje dhe Hercegovinë.
Fituesi i zgjedhur nga juria e mediave për edicionin e 13-të të PriFest – Filmi “Mehrunisa”, Austri.

Related Articles