Pas paraqitjes së suksesshme në skenën e Eurovisionit, grupi shqiptar Shkodra Elektronike po vazhdon fuqishëm rrugëtimin artistik. Ata kanë paralajmëruar publikimin e një albumi të shkurtër (EP) me titullin “Shndrit!”, i cili do të lansohet më 23 maj.
“Pse do të vazhdojmë me [shndrit]” – kanë shkruar ata në rrjete sociale, duke lënë të kuptohet se albumi i ri është vetëm fillimi i një faze të re dhe kreative për grupin.
Ky projekt i ri pritet të ruajë stilin karakteristik të Shkodrës Elektronike, që ndërthur tinguj elektronikë modernë me elemente të folklorit shqiptar. Edhe kopertina e albumit, me ngjyra të ndezura, forma abstrakte dhe frymëzim etno-futurist, paralajmëron një tjetër eksperiment artistik të guximshëm që konsolidon identitetin unik të grupit.
Interesi për grupin është rritur dukshëm pas renditjes në vendin e tetë me votat e publikut në Eurovision, sukses që u cilësua si një arritje e madhe për një grup alternativ shqiptar në një festival ndërkombëtar kaq të madh.
Ndërkohë, edicioni i 69-të i Eurovisionit që u mbajt në Bazel të Zvicrës, u fitua nga Austria, që pas më shumë se një dekade nga fitorja e Conchita-s, rikthehet në majë. JJ, tenori austriako-filipinas 24-vjeçar, triumfoi me këngën “Wasted Love”, një miksim mes operës, popit dhe teknos, që i solli 436 pikë dhe e la pas Izraelin dhe Estoninë në renditje.
Performanca e tij u vlerësua si një ndër më të fuqishmet e mbrëmjes, falë kombinimit teknik dhe emocional që solli në skenë. Si pjesëtar i komunitetit LGBTQI+, ai përdori skenën për të përcjellë një mesazh për dashurinë dhe pranimin, që u prit me entuziazëm nga publiku evropian.