Sezoni i fundit i “La Casa De Papel” do të lansohet në dy pjesë, më 3 shtator dhe më 3 dhjetor. Njoftimi u dha nga platform Netflix, e cila thotë se pikërisht kur duket se asgjë tjetër nuk mund të shkojë keq, në skenë del ushtria dhe këtu grabitja do të kthehet në luftë, njofton Gazeta Enigma.
“Banda është mbyllur në Bankën e Spanjës për mbi 100 orë. Ata kanë arritur të shpëtojnë Lisbonën, por momenti më i errët është mbi ta pasi kanë humbur njërin prej tyre. Profesori është kapur nga Sierra dhe, për herë të parë, nuk ka një plan arratisjeje.” njofton Netflix.
Nga ana tjetër, Alex Pina, krijuesi i “La Casa De Papel” deklaroi se kanë punuar me një zhanër agresiv dhe se janë përqendruar më shumë te situata emocionale e personazheve.
“Përdorëm çdo mjet që mundëm për të krijuar ndjesinë e një finaleje të sezonit ose finaleje të serialit. Ne vendosëm të punojmë në një zhanër jashtëzakonisht agresiv. Është një udhëtim në hartën e tyre emocionale që na lidh drejtpërdrejt me largimin e tyre,” tha ai./Gazeta Enigma/