Një ngjarje tejet e pazakontë dhe e paprecedent ka ndodhur pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet Feronikelit dhe Arbërisë, me ç’rast skuadra nga Lipjani mori një fitore në Drenas me rezultat minimal 0-1, raporton Gazeta “Sheshi”.
Anëtari i kryesisë së klubit, Adem Bucolli e ka ndërprerë intervistën e trajnerit Klodian Duro, teksa ka kërkuar largimin e tij të menjëhershëm.
“Duhet te largohesh menjëherë, për çfarë rezultatesh e ke fjalën”, u shpreh fillimisht Bucolli duke e ndalur Duron të flas.
Më pas shefi i sigurisë në Klubin Futbollistik “Feronikeli” ka folur për situatën e krijuar te tre herë ish-kampionët e vendit.
“Kjo situatë është alarmante dhe e gjithë falë trajnerit Klodian Duro, i cili me veprimet e tij e ka sjellë klubin në këtë gjendje. Ai duhet larguar menjëherë. Që sot e tutje, ose ai ose unë në klub”, ka përfunduar Bucolli.
Ndryshe te Feronikeli gjendja është alarmante prej kohësh, teksa atmosfera nuk është nga më të mirat e mundshme.