Mbrëmë u mbyll me sukses edicioni i radhës i festivalit ndërkombëtar të tenorit të njohur kosovar, Rame Lahaj – një ngjarje kulturore që sivjet u zhvillua nën moton: “Ëndrra pa kufi, opera pa mure.”
Në natën përmbyllëse nuk munguan surprizat. Posta e Kosovës emetoi një emision të ri të pullave postare në nderim të Rame Lahajt – një prej zërave më të dalluar të operës moderne në skenën ndërkombëtare.
“Kjo pullë përjetëson figurën e një artisti që me zërin e tij ka tejkaluar kufijtë, duke u bërë ambasador i kulturës sonë në mbarë botën. Emisioni i pullës postare është realizuar në bashkëpunim me Fondacionin Rame Lahaj. Pulla postare nga ky emision mbart në motiv fotografinë e realizuar nga Z. Fahredin Spahija, ndërkaq bashkë me Zarfin e Ditës së Parë do të jenë në qarkullim postar deri në konsumim të plotë”, shkruan nga Posta e Kosovës.
Mbrëmë në skenë zbriti vetë Lahaj, përkrah Orkestrës Simfonike të RTSh-së, dirigjuar nga maestroja, Roberto Rizzi Brignoli.