Figura kontraverse e shou-bizit, Valentino Corleone, ndodhet në arrati nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për pastrim të parave.
Ai ndodhet nën hetime nga Prokuroria Speciale për pastrim të parave, ka thënë Policia e Kosovës përmes një deklarate për media të enjten.
Policia e Kosovës, e autorizuar nga Prokuroria Speciale, bastisi shtëpinë e Vali Corleones në Gjilan të enjten dhe sekuestroi disa kontrata noteriale të lidhura nga i dyshuari.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit me saktësisht nga Sektori për Hetime Financiare, sot më 24.11.2022 në Gjilan kanë zhvilluar operacionin e kontrollit të shtëpisë dhe lokaleve përcjellëse të të dyshuarit mashkull kosovar me qëllim të sigurimit të dëshmive materiale në lidhje me veprën penale ,,pastrimi i parave “ të cilën i dyshuari dyshohet ta ketë konsumuar gjatë periudhës kohore – tetor 2022. Kontrolli është realizuar duke u bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Corleone është duke u hetuar për prezantimin e parave me ngjyrë në rrjetin social Tik-Tok.
“I dyshuari përmes rrjetit social Tik-Tok ka prezantuar për publikun para me ngjyrë të cilat dyshohet të jene përfituar nga kryerja e veprave penale të ndryshme. Gjatë kontrollit është arritur të sekuestrohen disa kontrata noteriale në lidhje me shitblerjen e disa lokaleve dhe pronave si dhe një telefon celular”, ka thënë Policia.
“I dyshuari nuk është hasur në shtëpi, dyshohet të jete në Republikën e Maqedonisë Veriore. Të gjitha veprimet hetimore dhe operative janë zhvilluar me autorizimin e Prokurorisë Speciale te Republikës se Kosovës”, ka thënë ai.