Kosova sërsish ka qenë temë bisede midis presidentëve të Serbisë dhe Rusisë.
Në një komunikatë nga kabineti i këtij të fundit, që transmetohet nga UrduPoint News/Sputnik, thuhet se Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq e trajtuan këtë temë derisa diskutuan me telefon për një sërë zhvillimesh ndërkombëtare.
“Ka vazhduar këmbimi i pikëpamjeve për një spektër të çështjeve ndërkombëtare, përfshirë situatën në Ukrainë dhe zhvillimet e ngjarjeve rreth Kosovës”, thuhet në deklaratën e Kremlinit.
Edhe presidenti i Serbisë e konfirmoi bisedën, duke pranuar se Serbia do të vazhdojë të përballet me presionet ndërkombëtare për shkak të kontakteve që mban me Rusinë.
“Se deri kur do të mund të qëndrojmë duke ndjekur politikë të pavarur e sovrane, nuk është e lehtë të thuhet, meqë nuk ishte e lehtë as para 90 ditësh. Por edhe për 90 ditë kemi arritur të ruajm qëndrimin e njëjtë sikur edhe në ditën e parë të shpërthimit në konfliktin e Ukrainës”, tha Vuçiq të dielën.
Sipas tij, presionet ndërkombëtare do të lidhen me Kosovën.
“Ata duan të thonë se rasti i Kosovës nuk mund të vlej edhe për të tjerët, meqë është “sui generis”, dhe se për këtë arsye është me rëndësi të detyrohet Serbia të arrijë sa më parë marrëveshje me shqiptarët, dhe atë për pavarësinë, sepse, sipas tyre kjo do të zgjidhte të gjitha problemet në raportet e ardhshme, dhe do ta fuqizonte pozitën e Perëndimit karshi Rusisë”, tha presidenti serb, duke pohuar se “askush nuk do të ketë mirëkuptim për peshën e pozitës së Serbisë”.