Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, njëherësh edhe ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se vizita e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq në veri të vendit, tregon se “populli serb nuk është vetëm”.
Në një intervistë për mediumin serb “Novosti” të hënën, Rakiqi ka thënë se vizita e Bërnabiqit në Kosovë jep mesazh që Serbia është për dialog, paqe e stabilitet.
Vizitën e parë zyrtare në Kosovë të kryetares së qeverisë serbe, Rakiqi e ka vlerësuar të një rëndësie të jashtëzakonshme për popullin serb në Kosovë.
“Vizita e kryeministres së Serbisë dërgon një mesazh të qartë se ne jemi të zgjedhur në radhë të parë për paqen, stabilitetin, dialogun, se populli ynë nuk është i vetëm. Investimi i shtetit dhe kujdesi i vazhdueshëm i popullit tonë përmes Zyrës për Kosovë është i një rëndësie jetike dhe në këtë kuptim kjo vizitë dhe investimet e paralajmëruara na gëzojnë të gjithëve”, ka thënë Rakiq.
Bërnabiq është duke qëndruar në veri të Kosovës. Gjatë fjalimit të saj, ka thënë se ka ardhur në Kosovë për të sjell mesazhe paqeje, por gjatë fjalimit të saj, të hënën në Mitrovicën e Veriut, ajo megjithatë provokoi, akuzoi e, edhe e kërcënoi.
“Populli serb (në Kosovë v.j.) duhet ta dijë se askush, askush nuk guxon ta rrezikojë”, tha ajo.
Institucionet e Kosovës ajo i quajti të përkohshme.