Prof. ass. dr. Selim Daku
Të shkruash libër për qeverisjen lokale në Kosovë është një risi, për faktin se natyra e studimit nuk bie mbi interesin madhor të lexuesit. Autori ka pikatur një segment të qeverisjes lokale në Kosovë, që është mjaft interesant dhe jo shumë i trajtuar. Bashkëpunimet ndërkomunale për qeverisjen lokale janë shumë të rëndësishme dhe kanë ndikim krucial për zhvillimin lokal.
Autori Shkelqim Xhaqkaj, në librin e tij me titull “Bashkëpunimet ndërkomunale në mes të komunës së Kamenicës, Gjilanit dhe Vitisë”, paraqet rregullimin ligjor të funksionimit të qeverisjes lokale në Kosovë në disa periudha kohore të cilat janë të ndara në ngjarje të mëdha, siç janë çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Momentume në të cilat ky lloj i pushtetit ka përjetuar reformat më të mëdha. Autori Xhaqkaj bën një përmbledhje të nivelit të bashkëpunimit që kanë komuna e Gjilanit, e Kamenicës dhe e Vitisë përmes marrëveshjeve të veçanta me komunat e tjera brenda dhe jashtë vendit. Ai bën një analizë simbolike të fragmentuar të natyrës së marrëveshjeve që këto komuna aktualisht kanë.
Autori ka për qëllim t’i evidentojë bashkëpunimet ndërkomunale dhe ndërkufitare prej vitit 2000 si dhe t’i vë në pah sfidat e arritjes, peshën dhe rëndësinë e realizimit të marrëveshjeve në praktikë.
Libri mund të shërbejë si dokument fillestar për studiues dhe studentë, për përfaqësues politikë të nivelit lokal, hartues të politikave publike lokale dhe qendrore si dhe zbatuesit e tyre.
Libri i Xhaqkajt mund të konsiderohet kontribut simbolik për zhvillimin e ideve mbi qeverisjen lokale në Kosovë, posaçërisht bashkëpunimet ndërkomunale, ndërkufitare dhe ndërkombëtare të komunave dhe është bazë e mirë për studime më të thelluara.
Autori Xhaqkaj është kuadër i ri dhe mjaft premtues. Ai ka një vullnet të pashoq për realizimin e ideve që ndjek. Duke ditur që ky është libri i tij i parë, ai ka tërë kohën dhe hapësirën e nevojshme për zhvillim të mëtejmë profesional e shkencor, gjë që e bënë kandidat potencial për t’u shndërruar ndërkohë në ekspert të vyer të qeverisjes lokale. Xhaqkaj, pos studimeve master në qeverisje lokale, ka të përfunduara studimet baçelor në gazetari. Përvoja e tij e punës si gazetar vlerësohet si përparësi për realizimin e hulumtimeve kualitative në fushën e qeverisjes lokale.
Pasi libri i Xhaqkajt është punuar si tezë masteri, si recensent i librit kam vlerësuar qëllimin e punimit, anën metodologjike, zhvillimin e pjesës teorike dhe empirike, korrelacionin që kanë pyetjet kërkimore me hipotezat e punimit si dhe rezultatet e përfundimet që autori ka nxjerrë nga ky punim.
Përmbushja e plotë e qëllimeve të autorit ka qenë e pamundur, për faktin se punimi është i bazuar në hulumtim dhe se rezultatet nga hulumtimi nuk janë të varura vetëm nga puna që autori zhvillon, por edhe nga gatishmëria që palët e treta kanë për t’u bërë pjesë e hulumtimit. Padyshim, komunat e kësaj pjese janë shumë burokratike dhe vështirë të qasshme përmes internetit. Shumica e zyrtarëve komunalë nuk i kanë të publikuara emrat dhe pozitat që mbajnë dhe aq më pak kontaktet personale si emaili. Ky padyshim se është handikap i madh për qëllimet e autorit, i cili, me gjithë sfidat, ka arritur të realizojë jo plotësisht qëllimin e studimit.
Autori ka arritur ta përkufizojë punën e vet kërkimore, duke vënë theksin në evidentimin e bashkëpunimeve ndërkomunale në mes të komunës së Gjilanit, Kamenicës dhe Vitisë, duke bërë analizë mbi natyrën dhe zbatimin e tyre, duke përfshirë edhe sfidat me të cilat komunat ballafaqohen. Autori ka gjetur se në praktikë nismat për bashkëpunime ndërkomunale, ndërkufitare dhe ndërkombëtare janë të kufizuara. Disa prej marrëveshjeve të arritura kanë rezultate të vogla si dhe shumica e aktiviteteve të kësaj natyre nuk janë të paraqitura mjaftueshëm në opinionin publik. Autori ka dhënë propozimet e tij për zgjidhje specifike në pjesën e rekomandimeve.
Libri i autorit Xhaqkaj është i veçantë për shkak se forcon idenë dhe rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkomunale dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të tij në zhvillim ekonomik lokal, politika publike dhe siguri.
Në pjesën teorike autori shfrytëzon literaturë të kufizuar shqipe dhe të huaj, ndërsa në pjesën empirike ai ka realizuar një pyetësor me mostër të rastësishme me qytetarët e komunës së Gjilanit, të Kamenicës dhe të Vitisë. Po ashtu, në pjesën e hulumtimit ai realizon edhe intervista me kryetarët e komunave dhe me përfaqësues të ministrisë gjegjëse.
Autori flet për organizimin e pushtetit lokal, reformën e pushtetit lokal pas luftës dhe organizimin deri në vitin 2008 dhe pas shpalljes së pavarësisë. Ai paraqet aktet e para ligjore, siç ishte Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2000/45 për Vetëqeverisjen e Komunave të Kosovës, jep informacione mbi zhvillimin e kornizës ligjore për vetëqeverisjen lokale në Kosovës në periudhën kohore që shkon nga viti 2000 e deri më sot, duke përfshirë periudhën e administrimit të komunave me administrator komunal sipas rregulloreve të UNMIK-ut, nga viti 2000 deri më 2002, periudhën e administrimit të komunave pa administrator komunal sipas rregulloreve të UNMIK-ut dhe akteve të tjera ligjore të IPVQ, me transferim të kompetencave në organet e vetëqeverisjes lokale, gradualisht nga viti 2002 deri më 2007 si dhe periudhën e vetëqeverisjes lokale sipas Kushtetutës dhe ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës nga viti 2008 deri sot. Autori përfshin edhe procesin e diskutueshëm të decentralizimit në Kosovë.
Xhaqkaj trajton format e bashkëpunimeve të qeverisjes lokale sipas Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, të ndara në bashkëpunim ndërkomunal, ndërkufitar – rajonal dhe ndërkombëtar. Ai tregon edhe mundësitë që jep Ligji për Bashkëpunim Ndërkomunal i Kosovës, që përcakton disa forma të bashkëpunimit ndërkomunal si përmes themelimit të grupeve të përbashkëta punuese, organeve të përbashkëta administrative, institucioneve të përbashkëta publike, ndërmarrjeve të përbashkëta publike dhe partneriteteve të përbashkëta publiko-private.
Autori vë në pah edhe mundësinë e nismave që Qeveria e Kosovës mund të nxisë përmes formave të ndryshme, si stimulimeve financiare dhe administrative, me propozimin e ministrisë përgjegjëse për qeverisje lokale, me akte të veçanta qeveria i përcakton fushat/kompetencat me rëndësi dhe interes më të gjerë, për të cilat do të mund të ndajë mjete financiare për nxitjen e bashkëpunimit ndërkomunal.
Në pjesën teorike Xhaqkaj nxjerr shembuj nga praktikat dhe modelet e mira të funksionimit të bashkëpunimeve ndërkomunale, ndërkufitare dhe ndërkombëtare nga shtete si Estonia, Islanda, Franca, Spanja, Italia, Zvicra, Gjermania, Holanda, Mbretëria e Bashkuar, Sllovenia, ShBA-ja dhe të tjera. Autori bën edhe krahasim të organizimit të qeverisjes lokale në ShBA me shtetet e Evropës.
Nga analiza e bërë në pjesën e evidentimit të marrëveshjeve aktuale të komunës Gjilan, Kamenicë dhe Viti, vërejmë se hulumtimi dhe analiza e autorit është e varur nga informacioni i dhënë nga autoritetet lokale. Sidoqoftë, këtu shohim se bashkëpunimet ndërkomunale, ndërkufitare rajonale dhe ndërkombëtare të këtyre komunave janë të mangëta në numër dhe jo mjaftueshëm të orientuara në zhvillim.
Bashkëpunimet ndërkomunale janë kryesisht të zhvilluara në mes të komunave që kanë vazhdimësi territoriale, qofshin edhe ndërkufitare. Komuna e Kamenicës bashkëpunimin e ka të orientuar me komunën e Novobërdës, Gjilanit, Vitisë dhe Ranillugut. Natyra e marrëveshjeve është kryesisht infrastrukturore si në sigurimin e fondeve për trajtimin e ujërave të zeza, ndërtimin e impiantit dhe kolektorëve të ujërave të zeza si dhe bashkëpunime për ndërtimin e rrugëve.
Në rastin e komunës së Gjilanit, si komuna që ka më shumë bashkëpunime, natyra e realizimit të bashkëpunimeve është pothuajse e njëjtë, duke përfshirë edhe marrëveshjet për grumbullimin e mbeturinave. Për dallim nga Kamenica, komuna e Gjilanit ka ndërtuar bashkëpunim ndërkomunal edhe me komunën e Lipjanit.
Komuna e Gjilanit ka zhvilluar edhe bashkëpunime ndërkufitare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë bashkëpunime me qeverinë e Tirolit në Austri, bashkinë e Kukësit, binjakëzimin me komunën Yildirim-Bursa (Turqi), Lutterbach (Francë), Leper (Belgjikë), marrëveshjet me komunën e Kumanovës, dhe atë të Çairit në Maqedoninë e Veriut. Natyra e marrëveshjeve është kryesisht infrastrukturore, për ngritje të kapaciteteve dhe transmetimit të përvojave, si dhe për valorizim të tregtisë dhe zejeve tradicionale.
Në rastin e komunës së Vitisë përcillet përmbajtja e njëjtë e bashkëpunimeve, duke përfshirë qëllimet infrastrukturore dhe të shërbimeve. Komuna e Vitisë, për dallim nga komuna e Gjilanit dhe e Kamenicës, ka bashkëpunim me komunën e Ferizajt dhe bashkëpunim ndërkombëtar me atë të Pisanicës në Kroaci.
Në përgjithësi natyra e bashkëpunimeve ndërmjet këtyre komunave (Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës, e që ndryshe njihet si rajoni i Anamoravës), ka të bëjë me infrastrukturën: asfaltimin e rrugëve që lidhin komunat ndërmjet vete, linjat e transportit për udhëtarët, si dhe bashkëpunime për çështjen e mbledhjes së mbeturinave.
Në libër mund të trajtoheshin të gjitha marrëveshjet e komunave, por puna e autorit është varur nga ofrimi i qasjes në dokumente zyrtare nga autoritetet lokale. Qasja e të interesuarve në dokumente zyrtare ende lë për të dëshiruar. Autori bën segmentimin e komentimit të marrëveshjeve. Për shembull, në mesin e shumë marrëveshjeve shumë më të rëndësishme të komunës së Gjilanit, ai jep informata për marrëveshjen e Gjilanit dhe të Qairit.
Në pjesën empirike autori fillimisht paraqet rezultatet që nxjerr nga hulumtimi sasior, mostër e realizuar në mënyrë të rastësishme me qytetarë të komunës së Gjilanit, të Kamenicës dhe të Vitisë përmes të cilave vihen në pah shumë mangësi të komunave përkatëse, veçanërisht në çështjen e transparencës dhe informimit. Rezultatet e hulumtimit cilësor i paraqet duke renditur intervistat me kryetarin e komunës së Gjilanit, të Kamenicës dhe të Vitisë si dhe me sekretaren e përgjithshme të Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës.
Në përgjithësi libri nxjerr përfundime me vlerë dhe të cilat mund të jenë të shfrytëzueshme nga palët e interesuara.