Marrja e shtetësisë së Kosovës nga këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, u bë lajm në mediat më prestigjioze britanike.
Një artikull të veçantë ia ka kushtuar transmetuesi BBC.
BBC shkruan se këngëtarja ka lindur në Londër nga prindër kosovarë dhe ka jetuar për një kohë të shkurtër në Prishtinë që nga mosha 11-vjeçare, kur prindërit e saj u kthyen pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në artikull, përmendet edhe deklarata e saj pas marrjes së shtetësisë.
“Tani dy anët e mia janë një. E dua këtë vend. Kjo do të thotë shumë për mua dhe familjen time”, deklaroi ajo.
Aty, në fokus është edhe pritja që ia bëri Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Osmani në ceremoninë zyrtare, e quajti një nder dhënien e shtetësisë për Dua Lipën, duke e cilësuar atë si një nga figurat më ikonike kulturore në historinë e vendit të Kosovës.
“Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me të arriturat e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit. Mirënjohja jonë është e pafund për gjithçka që Dua ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën, për rininë tonë, për artin tonë dhe për imazhin ndërkombëtar të vendit tone”, shkroi ajo.
“Ajo ka folur shpesh për dashurinë që ka për vendin dhe ka themeluar një fondacion që ndihmon komunitetet në nevojë në Kosovë. Këngëtarja e “Radical Optimism” u prit në ceremoni nga një kor fëmijësh që kënduan një version të këngës së saj “Levitating””, thuhet në artikull.
Dua Lipa, tani ka tri shtetësi, atë britanike, shqiptare dhe të Kosovës.
Ajo ishte pajisur me shtetësinë shqiptare në vitin 2022 për promovimin e vendit përmes muzikës dhe famës së saj.
Po në 2022-tën, ajo u nderua gjithashtu me titullin Ambasadore Nderi e Kosovës nga presidentja Osmani.
Lipa e cilësoi këtë si një nder dhe privilegj të përfaqësosh vendin tënd në mbarë botën dhe të vazhdosh punën dhe përpjekjet globale.
BBC tregon se si këngëtarja me famë botërore e themeloi festivalin “Sunny Hill” në vendlindjen e prindërve të saj, bashkë me babain e saj, në vitin 2018.
”Ajo kishte shpjeguar vitin e kaluar se festivali u krijua ‘për të ndryshuar narrativën për Kosovën dhe perceptimin se është një vend i shkatërruar nga lufta’”, thuhet në artikull.
Një shkrim rreth marrjes së shtetësisë së Kosovës, ia ka kushtuar edhe gazeta e njohur britanike The Guardian.