Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Turqi, Avni Spahiu, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend si dhe në rajon.
Spahiu ka thënë se është e pajustifikueshme që Kosova ka mungesë të ambasadorëve në vendet e ndryshme të botës.
Ish ambasadori Spahiu për këtë fajësoi edhe ministrat e mëhershëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, që kanë lejuar të degradojë përfaqësimi i Kosovës në botë.
“Në fillim kemi pasur një diplomaci shumë efektive dhe është pritur që konsolidimi i mëtejmë i diplomacisë së jashtme të shkojë duke u forcuar dhe jo të ndodhë e kundërta. Dhe kjo në një farë mënyre është e pajustifikueshme dhe nuk e kam fjalën vetëm për këtë qeveri, por edhe për disa ministra të mëparshëm të cilët lejuan që të degradojë përfaqësimi i Kosovës në botë. Është e pajustifikueshme që të mos kemi një ambasador në Washington”, ka thënë ai për Telegraf.
Gjatë intervistës, Spahiu ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi, duke thënë se sjellja e diplomatëve amerikanë në rajon është shpresëdhënëse.
“Fuqizimi i diplomacisë amerikane në rajon ka të bëjë në rend të parë me dialogun Kosovë –Serbi. Sjellja e diplomatëve në rajon është shumë domethënëse. E kthen pozicionin që ka pasur SHBA në rajon para administratës së Trump. Kjo është shumë shpresëdhënëse për paqen në rajon, pra është lajm i mirë. Prania amerikane në procesin e dialogut do të jetë shumë e afërt”, potencoi ai.
Tutje, ai shtoi se, “ne duhet të shfrytëzojmë këtë, pasi në Shtëpinë e Bardhë është një mik i madh i Kosovës”.
Ndër të tjera, Spahiu ka folur edhe për situatën e krijuar në Bosnjë e Hercegovinë, duke thënë se tashmë janë shenjat që SHBA po rikthehet në rajon.
“Deri më tani Rusia e ka pasur një fushë të hapur dhe ndikimi i saj është përhapur pa ndonjë sfidë nga të tjerët dhe tash janë shenjat që SHBA po rikthehet në rajon. Agresioni diplomatik i Serbisë ndaj fqinjëve është evident, natyrisht me mbështetjen e Rusisë, dhe ky takim i Eskobar me Dodik është inkurajues që nuk do të lejojnë një përshkallëzim që do të sillte Bosnjën në një konflikt të ri, i cili mund të shkaktoi në mënyrë zinxhirore edhe kriza tjera”, tha mes tjerash Spahiu.
Gjatë intervistës ai ka folur edhe për tema tjera të rëndësishme, ku ka komentuar edhe mos ftesën e SHBA-së për Kosovën për Samitin e Demokracisë.
Spahiu ka thënë se mos ftesa nga SHBA-të ka qenë një befasi jo e këndshme, duke shtuar se është për keqardhje se pse vendi ynë nuk është ftuar në Samitin e Demokracisë.